Itali, Renzi forcon pozitat në Senat, dezertime nga qendra e djathtë

06/02/2015 00:00

Kryeministri italian, Matteo Renzi, ka marrë një lajm tepër të gëzueshëm politik gjatë së premtes, kur 8 anëtarë të një partie të qendrës dezertuan prej saj për t’iu bashkuar Partisë Demokratike në pushtet, duke forcuar kështu mazhorancën e tij të brishtë në dhomën e lartë, Senat.

“Dezertorët”, mes të cilëve edhe ministrja e Edukimit Stefania Giannini, braktisën lëvizjen “Zgjedhja Qytetare”, e cila humbi shumë shpejt përkrahjen që pas formimit të saj në vitin 2013 nga ish-kryeministri Mario Monti.

“Zgjedhja Qytetare” ishte gjithashtu pjesë e koalicionit qeverisës, por duke iu bashkuar PD-së së qendrës së majtë, e bën përkrahjen e tyre ndaj qeverisë edhe më të qëndrueshme. Gjithashtu nënvizohet edhe kthesa e PD-së në spektrin e djathtë nën drejtimin e Renzit, i cili ka irrituar shumë prej “gardës së vjetër” të partisë.

Pesë prej të larguarve nga lëvizja e Montit janë senatorë, duke forcuar kështu pozicionin e Renzit në dhomën e lartë, ku atij i është dashur të varet nga mbështetja e opozitës së qendrës së djathtë, në përpjekjet e tij për të çuar përpara një reformë të ligjit elektoral.

Të tjerët janë dy deputetë të dhomës së ulët, si dhe zëvendësministri i Industrisë, Carlo Calenda, i cili nuk është anëtar i Parlamentit.

Në votimin e fundit të Senatit për ligjin elektoral, 27 prej 107 senatorëve të PD-së refuzuan të mbështesnin Renzin. Ndryshimi i kaheve politike është thuajse i zakonshëm mes ligjvënësve italianë. Dezertimi i fundit është shoqëruar si zakonisht nga akuzat për karrierë dhe tradhti prej opozitës, të cilat janë anashkaluar prej PD-së.

“Mirësevini në shtëpi ju 5 senatorë të ‘Zgjedhjes Qytetare’, PD-ja është shtëpia natyrale për të gjithë reformistët”, shkruante senatori i PD-së dhe aleat i afërt i Renzit, Andrea Marcucci.

Megjithatë, kjo mund të mos jetë lëvizja e fundit politike në Itali, pasi ka spekulime se mazhoranca qeverisëse mund të forcohet edhe më tej nga dezertorë të qendrës së djathtë, e cila është në një fazë turbullirash.

Rreth 10 senatorë nga partia e qendrës së djathtë “GAL”, selia e së cilës është në jug të Italisë, janë duke konsideruar kalimin e tyre në qendrën e majtë, tha një prej senatorëve për “Corriere della Sera” gjatë së premtes.

Top Channel