Përmbytjet, Basha: Rama, pandjeshmëri njerëzore dhe papërgjegjshmëri shtetërore

06/02/2015 00:00

Lulzim Basha nuk kishte asnjë plan të dilte në media këtë të premte, sepse nga selia e Partisë Demokratike po koordinonte punën e strukturave të opozitës në terren për t’u ardhur në ndihmë të përmbyturve.

Arsyeja ishte refuzimi i kryeministrit Rama për të shpallur gjendjen e emergjencës. “Ai u shfaq para mediave më keq se ata dy të dehurit e grupit që bëjnë sikur vlerësojnë dëmet në terren”, deklaroi fillimisht Basha.

Për Partinë Demokratike, sjellja e kryeministrit me përmbytjen tregon pandjeshmërinë e tij njerëzore dhe papërgjegjshmërinë e tij shtetërore.

“Nuk tha pse nuk e shpall gjendjen e emergjencës. Emergjenca nuk mund të jetë një çështje opionionesh; “varet si e sheh”. Varet si e sheh, është për ty që nuk do ta shohësh, por jo për të përmbytyrit, jo për ata në ditë të hallit. Kjo nuk është neglizhencë. Kjo është braktisje”, u shpreh Basha.

Sipas zotit Basha, braktisja e qytetarëve të përmbytur nuk mund të fshihet as me sulmë kundër opozitës dhe as me mashtrime qeveritare. Të tillë ai quajti deklaratën e kryeministrit se, kur ishte në pushtet Partia Demokratike nuk dëmshpërbleu të përmbyturit në Shkodër.

“Fakti është se janë paguar plot 19.2 milionë dollarë nga 27 dhe jo 37 milionë dollarë dhe pjesa tjetër që ka mbetur pa paguar ka mbetur në momentin që KESH është marrë nën administrim nga pushtetarët pas 23 qershorit”, nënvizoi Basha.

Partia Demokratike beson se mosshpallja e emergjencës ka një arsye. “Kryeministri ka treguar me mospërgjigjen e tij se ka vetëm një shqetësim, si të mos u japë dëmshpërblimin banorëve”, vijoi Basha.

Zoti Basha dha edhe shpjegimin e tij pse është e rëndësishme shpallja e gjendjes së emergjencës dhe sipas tij kjo nuk ka të bëjë vetëm me kompensimin finaciar.

“Ka të bëjë me faktin se gjendja e emergjencës aktivizon planet e emergjencës, shtabin e emergjencës, planin konkret të masave, fondet speciale të emergjencës së shtetit. Është absurde të mendosh që qeveria e Kosovës shpall gjendjen e emergjencës për Shqipërinë, por qeveria e Shqipërisë nuk e shpall për veten e saj. Është treguesi më i mirë i braktisjes. Tani nuk e shpall për inat të opozitës. Ky është i papërgjegjshmi që kemi në krye”, saktësoi Basha.

Top Channel