Emiratet Arabe: Sulmet ajrore, jo efektive pa armatosjen e sunitëve në Irak

06/02/2015 00:00

Emiratet e Bashkuara Arabe u tërhoqën nga sulmet ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik, pasi sipas tyre nuk mund të kihet sukses pa avancuar përpara me armatosjen e fiseve muslimane sunite të Irakut, ka bërë të ditur një gazetë qeveritare këtë të premte.

Vendimi i EBA-ve për të tërhequr avionët e tyre luftarakë, që u raportua nga zyrtarë amerikanë pas rrëzimit të një avioni jordanez mbi Irak më 24 dhjetor, si dhe djegies për së gjallit të pilotit jordanez, ka shtuar frikën se mbështetja rajonale për fushatën ajrore të koalicionit mund të zvogëlohet.

EBA nuk kanë komentuar aspak për raportet mbi vendimin e tyre, por zyrtarë amerikanë thanë se vendi arab është i shqetësuar në lidhje me sigurinë e pilotëve, pas ngjarjes me jordanezin Moath al-Kasasbeh. Gazeta “Al-Etihad” bëri të ditur të premten se ky ishte vetëm një arsyetim i pjesshëm.

“Pjesa tjetër e rëndësishme pas rezervimit të EBA-ve, është pakënaqësia e tyre me koalicionin që nuk e ka mbajtur ende premtimin për të mbështetur sunitët në Anbar, duke mos i përgatitur ata, apo duke mos i pajisur me armatime për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër Daesh”, shkruhet në editorialin e kryeredaktorit Mohammed al-Hammadi. “As sulmet ajrore dhe as lufta mediatike nuk janë të mjaftueshme për të mposhtur Daesh-in”, shkruhej në gazetë, duke përdorur akronimin me kuptim më të përkeqësuar për Shtetin Islamik në arabisht.

“Etihad” raporton se zyrtarët arabë të Emirateve ua kanë paraqitur shqetësimet e tyre zyrtarëve amerikanë mbi dështimin e armatosjes së fiseve sunite, gjatë një takimi të vendeve mbështetëse të koalicionit në Londër.

Fiset në provincën perëndimore të Irakut, Anbar, që kufizohet me Jordaninë, Sirinë dhe Arabinë Saudite, janë të përçara, teksa disa kanë zgjedhur t’u bashkohen militantëve të Shtetit Islamik, e disa të tjerë t’i luftojnë ata.

Top Channel