Përpjekjet greke për të lehtësuar kushtet e borxhit kanë hasur në
kundërshtimin e prerë të Berlinit. Si Kancelarja Merkel ashtu edhe
Ministri i Financave Schauble janë shprehur të vendosur kur kanë
deklaruar se Athina duhet të vazhdojë punën me Trojkën.

‘Emergjenca greke’ e krijuar me ardhjen në pushtet të qeverisë së radikalëve të majtë të udhëhequr nga Aleksis Tsipras ka ndryshuar axhendën e takimit periodik të Ministrave të Financave të zonës së monedhës së përbashkët.

Ministrat do të takohen më 11 shkurt dhe në tavolinë do të jetë çështja greke dhe marrëdhëniet me Rusinë, duke lënë për një plan të dytë gjendjen e përgjithshme të unionit monetar.

Presidenti i Eurogrupit, Jereon Dijsselbloem konfirmoi takimin në orën 17:30, por edhe axhendën e re, ndërkohë që një ditë më pas shefat e qeverive të Bashkimit Europian do të takohen në Bruksel.

Ditët e fundit, Tsipras dhe Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ndaluan në kancelaritë europiane në përpjekje për të gjetur mbështetjen e partnerëve për planin e tyre për çështjen e borxhit.

Ndërsa në Romë e Paris takimet ishin më shumë diplomatike, në Berlin, Varoufakis u përball me gjuhën e drejtpërdrejtë të homolgut gjerman, Schauble. “Ramë dakort për të mos qenë dakort”, tha ai në përfundim të takimit duke nënvizuar më pas se Athina duhet të vazhdojë të punojë me Trojkën, që është Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni i Europës dhe Banka Qendrore Europiane.

Kjo e fundit dy ditë më parë lëshoi një deklaratë ku thoshte se nuk do të pranojë më bono qeveritare si kolateral për kreditimin e parave të bankave në Greqi. Banka Qendrore Europiane tha se pezullimi erdhi pasi ajo nuk mundi të arrinte një marrëveshje të suksesshme për borxhin prej 240 miliardë euro, të cilin Greqia e mori për të dalë nga kriza.

Top Channel