Punësimi, ekonomia amerikane vijon përmirësimin

06/02/2015 00:00

Ekonomia amerikane vijon me momentin e mirë që po kalon duke krijuar për të 11 muaj me radhë mbi 200 mijë vende të reja pune.

Departamenti i Punës njoftoi se për muajin janar u hapën 257 mijë vende të reja pune, ndërkohë që janë rishikuar në rritje edhe vendet e reja të punës të hapura në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

Në të dy këto muaj ka një rritje me 147 mijë vende pune, duke çuar shifrat zyrtare në 414 mijë vende të reja pune për nëntorin dhe 329 mijë vende të reja për dhjetorin.

Megjithatë papunësia mbeti në të njëjtin nivel, 5.7 përqind dhe këtë autoritetet amerikane e shpjeguan me numrin e lartë të personave që kanë lënë një punë dhe janë vënë në kërkim të një pune tjetër.

Ecuria me 11-mujore me mbi 200 mijë vende të reja pune në muaj nuk regjistrohej që prej vitit 1994.

Top Channel