Cili është Helidon Gjergji, artisti bashkëkohor shqiptar

06/02/2015 00:00

Ai ka studiuar në tre akademi arti. E filloi në Tiranë, iku në Napoli për t’u kthyer sërish në Tiranë, e për të përfunduar në Chicago, dhe është Helidon Gjergji. Ai është një artist bashkëkohor shqiptar, i lindur në Tiranë, por që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithmonë e ka dashur artin, e për këtë arsye zgjodhi Akademinë e Arteve. Mori pjesë në kauzën më të rëndësishme të rinisë shqiptare; grevën e urisë së studentëve. E kujton me nostalgji atë kohë dhe është krenar që ishte pjesë e saj, megjithëse – me humor – thotë se nuk ishte i vendosur që të sakrifikonte jetën.

Rënia e sistemit komunist bëri që ai të largohej nga Shqipëria. Gjergji u vendos në Napoli, ku sërish iu përkushtua studimeve të artit. Me Italinë e lidh edhe një tjetër gjë, dashuria. Atje, ai u njoh me njeriun me të cilin do të lidhte jetën, bashkëshorten e tij Barbara Naddedo, një shtetase amerikane që studion iluminizmin napoletan.

Arti dhe historia bëhen bashkë e vendosen përfundimisht në Amerikë, në vitin 1998. Fillimisht në Chicago, e pastaj në shumë shtete të tjera, deri më sot kur janë vendosur përfundimisht në Nju Jork. Frut i dashurisë së tyre është Sicile, 11 vjeçe.

Megjithëse larg atdheut, Helidoni s’e ka braktisur kurrë. Ai mori pjesë në projektin e Fasadave të Tiranës, ku la gjurmët e tij në një pallat të kryeqytetit, ndërkohë herë pas here është i pranishëm me ekspozita në vendin tonë.

Gjergji krijon duke përdorur stile dhe mediume të ndryshme. Veprat e karrierës së tij përfshijnë piktura, grafika, video arti, si dhe instalacione të shumta artistike për brenda galerive, apo për mjedise publike. Krijimet e artistit me banim në Nju Jork janë ekspozuar në shtete të ndryshme, si në Suedi, Gjermani, Shqipëri, Francë, SHBA dhe Itali. Një nga elementët karakteristikë të artit të tij është aparati i televizorit.

Prezantimin më të rëndësishëm e ka pasur në Bienalen e Venecias, në vitin 2007. Helidoni përfaqësonte Shqipërinë dhe në atë event ai u prezantua me një instalacion, ku sërish nuk mungonin televizorët.

Helidon Gjergji ka mbajtur leksione në shumë universitete për artin e tij, si në Harvard, Columbia etj. Aktualisht ai jep mësim në Universitetin shtetëror të Nju Jorkut.

Top Channel