Helidon Gjergji, artisti i famshëm në botë për instalacionet

06/02/2015 00:00

Në hapësirën kushtuar personazhit të javës në Pasdite në Top Channel, këtë të premte ka qenë i ftuar artisti shqiptar Helidon Gjergji, tepër i njohur për punimet e tij të artit, e veçanërisht i suksesshëm për instalacionet, që e kanë bërë të famshëm në mbarë botën.

Si gjithnjë krenarë për arritjet dhe suksesin e një shqiptari përtej kufijve, të gjithëve na pushton kureshtja të dimë diçka më shumë në lidhje me instalacionet, përse është zgjedhur prej tij kjo formë artistike, e cila në fakt përbën shumicën e veprave të tij, por që përfshijnë gjithashtu edhe forma të tjera.

Helidon Gjergji shpjegon se instalacioni është një formë artistike, e cila nuk është e kufizuar në kohë, siç ndodh me një pikturë të zakonshme, që pasi e var në mur, jeta e saj duket brenda kufijve të kornizës, në njëfarë kohe dhe në një moment të caktuar. Ndryshe edhe nga skulptura, instalacioni është disi më i gjallë dhe më ndërveprues, i cili i përgjigjet situatave, arkitekturave dhe publikut të ndryshëm. “Kjo e fundit është edhe pjesa më vitale, për të cilin jam i interesuar, ndaj dhe kam zgjedhur instalacionin”.

Mesazhi që ai vetë kërkon të përcjellë nëpërmjet veprave që bën, nuk mund të kufizohet në vetëm një të tillë, por janë të shumta në varësi të situatave, të punës dhe ndjeshmërisë së momentit. Fokusi kryesor i tij është marrëdhënia e realitetit me jorealen të transmetuar përmes ekraneve të mediave. Pikërisht mënyra sesi ekrani transformon realitetin, nga një situatë trepërmasore në një situatë dypërmasore, e që nuk mbetet fizikisht, por kthehet në aspekt konceptual.

Sa i përket përfaqësimeve dhe pjesëmarrjeve nëpër aktivitete të ndryshme, Gjergji e ka shumë të vështirë të veçojë njërën prej tyre. Pavarësisht se njëri mund të ketë më pak apo më shumë famë dhe njohje nga publiku, secila prej tyre ka veçantinë e vetë. E megjithatë, Bienalja e Venecias është një nga eventet që ai kujton me më shumë kënaqësi, pasi rezulton si një eksperiencë e paharrueshme, pikërisht ajo e 52-ta e zhvilluar në vitin 2007. Në të, së bashku me katër artistë të tjerë shqiptarë kolegë të tij, Gjergji përfaqësoi Shqipërinë në pavionin kushtuar vendit tonë. Për t’u theksuar është fakti që pavioni shqiptar nuk ishte brenda territorit klasik të bienales, por ndodhej në një situatë brenda qytetit, shumë pranë kanalit “Grande” dhe “Palazzo Grassi”-t, që është një muzeum i artit bashkëkohor.

Në vitin 2009, autori shqiptar Gjergji ka marrë pjesë me një tjetër vepër, në një tjetër event të zhvilluar në Muzeun bashkëkohor në Napoli (Pan), ku temë kryesore kishte atë të urisë. Pritshmëria, vlerësimet por edhe kritika (pozitive) nuk munguan edhe në atë rast. “Kam pasur fatin të ekspozoj në të dyja galeritë, ‘Pan’ dhe ‘Madre’, por në vitin 2009 formati i zhvilluar në ‘Pan’ ishte i llojit që një artist ftonte artistë të tjerë për të bashkëpunuar. Duhej të prodhohej një punë mbi një ngjarje që ndodhte brenda 24 orëve, e që do të ekspozohej për 24 orë. Thjesht diçka që kishte të bënte me momentin. Një format që më intrigoi, edhe pse ishte paksa i mbyllur, në një dhomë në formë ovale. I propozova artistit që të dilnim përtej formatit, sepse emergjenca ndoshta do të ishte më interesante në mosshfaqjen vetëm përballë publikut të vogël të artit, por të hapej edhe për publikun e madh apo për qytetin e Napolit. Propozimi im ishte që në instalacionin me monitorë që do të bëja, monitorët të ishin brenda muzeut por në dritaret e tij, për t’iu shfaqur edhe publikut të përgjithshëm. Lindi pyetja se çfarë mund të ishte një emergjencë kaq e madhe sa të tërhiqte vëmendjen…? Nuk doja të ndalesha tek emergjencat e gazetave dhe mediave, por në një të tillë që është tepër i ndjeshëm, dhe nuk duket në sipërfaqe. Nga kërkimet që bëra arrita të gjeja se në botë vdes një person çdo 3 sekonda nga uria, ndaj zgjodha këtë problem social shumë të madh, që ne shpesh tentojmë ta harrojmë. Interesimi i tejkaloi pritshmëritë, duke bërë që ekspozimi të mos qëndronte për 24 orë, siç ishte parashikuar, por gjatë gjithë kohës së ekspozitës për rreth 4-5 javë”, tregon Helidoni.

Por sa e vlerësojnë njerëzit artin e instalacionit? A e kuptojnë atë dhe si ndikon ai te njerëzit? Për këtë, Gjergji shprehet se fakti që instalacioni është një formë artistike për një publik më të gjerë, ndikon shumë. “Publiku fillimisht mund të stepet – thotë ai, – sepse nuk arrin të lidhet në atë nivel të dëshiruar nga autori, por rëndësi ka që mbetet i lidhur me këtë, duke pyetur shpesh se përse ndodhet kjo vepër përpara tij, e duke nisur të harxhojë kohë me studimin e saj. Unë e shikoj instalacionin jo vetëm në aspektin konceptual nga ana formale, por që të tërheqë edhe vëmendjen e një fëmije kur të kalojë pranë. Pra, të ketë shumë nivele interesimi, nga shtresa të ndryshme të shoqërisë”, shpjegon Helidoni.

Duke folur për studimet e kryera në këtë fushë, Gjergji thotë se “edhe pse ekziston degë më vete në universitete të tjera, në rastin tim nuk ka qenë i veçuar studimi për formën artistike të instalacionit. Në tre vitet e para të studimeve të kryera në ish-Akademinë e Arteve, sigurisht që nuk mund të mungonte realizmi socialist për shkak të periudhës, por vitin e fundit unë e përfundova pak më vonë, në vitin 1994, kur ishte diçka krejt ndryshe nga ajo që lashë. Aty kam bërë një instalacion dhe ndoshta mund të jetë i pari, sepse e kam bërë në Shqipëri dhe jo jashtë shtetit. Edhe në Itali vazhdova të bëja instalacione të tjera, por majën për sa i përket studimeve e arrita në Chicago, gjatë një masteri dyvjeçar, në një departament arti ku bëhej edhe teori, edhe praktikë”.

Nga pjesëmarrja te greva e studentëve, te fasadat e pallateve në Tiranë

Instalacionet mund të jenë tepër të bukura, por edhe të vështira për t’u lexuar apo interpretuar ashtu si duhet, si një vepër e jashtëzakonshme arti.

Ndaj për të folur mbi këtë, në pjesën e dytë të intervistës, Helidoni ka veçuar edhe një projekt të disa viteve më parë në lidhje me fasadat e pallateve në Tiranë. Ishte pikërisht viti 2009, kur u hodh idea dhe u realizua një nga projektet më interesante që kanë dalë nga skena e artit shqiptar, apo më mirë skena në bashkëpunim me politikën, siç e thekson Gjergji. “Projekti filloi me Bashkinë e Tiranës të drejtuar atëherë nga kryeministri i sotëm i vendit, Edi Rama. Nuk e di ekzaktësisht, por më duket se e filloi këtë projekt me Rrugën e Durrësit, e më pas u shtri në të gjithë kryeqytetin. Ishte një projekt rivitalizimi i qytetit me një zhvillim urban, me pak mjete por me impakt tepër të fortë. Projekti fillestar u zhvillua më tej me Bienalen e dytë të Tiranës, ku rezultoi edhe si një prej eventeve kryesore të asaj bienaleje ku kishte edhe të ftuar për kurimin e artistëve ndërkombëtarë. Në ato vite, ky event u bë i njohur kudo në botë, përtej skenës së artit si një formë e zhvillimit alternativ urban. Unë u ftova në Bienalen e katërt në 2009-n, ishte kënaqësi për mua, por specifika për punën time ishte sesi kishin ndryshuar në kohë këto pallate. Mbaja mend pllakatat dogmatike të kohës mbi tarracat e tyre, të cilat me ndryshimin e sistemeve nuk u hoqën tërësisht por u zëvendësuan me publicitetet e ekonomisë së tregut. Më interesoi jashtë mase të punoja me historinë e vetë pallatit. Edhe pse artistët ndërkombëtarë u përpoqën të ndërhynin në mënyra të ndryshme, ata nuk e njihnin siç duhet historinë tonë, siç mund ta njohë një artist vendas e që është lindur në Tiranë”.

Një projekt që, siç dihet, është pritur mirë edhe nga vetë qytetarët, por edhe nga diplomatët e huaj të akredituar në Shqipëri. Një gjë që e bën edhe më interesante për Gjergjin, si një risi që nuk ishte parë më parë.

Vitin e kaluar, Helidoni ka qenë pjesëmarrës në një ekspozitë në Tiranë, ku ka qenë edhe vetë nëna e Stalinit. Ishte hera e parë që ai bënte një ekspozitë vetjake në Shqipëri, në Galerinë e Artëve, ku paraqiti dy punime: dy video dhe një instalacion. “Pikërisht ajo me nënën e Stalinit ishte si një reflektim në rrjetet sociale, duke presupozuar se mamaja e Stalinit kishte hapur një llogari në Facebook me një album familjar. Një vepër me pamje dypërmasore, që siç e dimë paraqiste vetëm gjërat pozitive, ashtu sikurse ndodh realisht nëpër rrjete sociale, ku çdo gjë që nuk na pëlqen e eliminojmë, një pasqyrim joreal”, tregon Gjergji.

Sa i përket marrëdhënies me artistë të tjerë shqiptarë të suksesshëm anembanë botës, Helidoni thotë se pavarësisht faktit që shqiptarët janë të përhapur ngado, gjithnjë e më shumë, skena e artit nuk është në të njëjtat përmasa. “Skena është shumë e vogël, ndaj dhe shpesh herë na bie të takohemi me njëri-tjetrin, edhe pse jetojmë në vende të ndryshme. Me kolegë takohemi në situata të ndryshme, për arsye nga më eksplicitet, gjë që më bën të mos më mungojë shumë Shqipëria. Madje në Shqipëri vij shpesh, gati dy herë në vit, por ka pasur raste që kam ndenjur edhe për muaj të tërë. Gjatë sezonit të verës qëndroj gjithnjë më shumë se një muaj”, thotë Gjergji.

Në Nju Jork, ku edhe ai jeton, jep njëkohësisht edhe mësim për studentët e tij, ndaj të cilëve përpiqet të mbajë ekuilibrin mes seriozitetit dhe kërkesës. “Departamenti i Artit ku unë jap mësim është i ndarë në dy linja, ndryshe nga Universiteti i Arteve në Shqipëri që përfshin të gjithë artet, atje është thjesht një departament dhe në atë Universitet gjenden edhe departamente të tjera studimi, e për këtë arsye një pjesë e studentëve janë me profil artistik, ndërsa shumica tjetër përbëhet nga studentë, që lëndën e artit e kanë për kulturë të përgjithshme. E gjitha kjo ka ardhur pas një përpjekjeje të vështirë, kam jetuar në vende të ndryshme dhe dihet se rruga e artit është e bukur por e mundimshme”, thotë Helidon Gjergji, i cili mund të konsiderohet padyshim edhe si një ambasador i vlerave shqiptare në Amerikë.
   
Artisti bashkëshort, jeta mes Shqipërisë, Italisë dhe Amerikës

Sa i përket familjes, e në veçanti bashkëshortes si një nga mbështetjet kryesore për të, Helidoni ka zbuluar se “ndryshe nga pritshmëritë, bashkëshortja e tij nuk është artiste, por krijuese. Ajo është shtetase amerikane dhe pedagoge historie në Universitetin shtetëror të Nju Jorkut, por njëkohësisht është edhe shkrimtare për ngjarje historike. Ajo boton libra dhe artikuj të ndryshëm, librat e së cilës kanë fituar edhe çmime ndërkombëtare të njohura”. Dashuria, sipas tij, nuk ka qenë me shikim të parë, por rrethana ka qenë e çuditshme: Ishte një radhë e gjatë që zgjati për tre ditë për të marrë lejen e qëndrimit në Itali. Jemi njohur pikërisht atje, unë si student, kurse ajo me një bursë “Fulbright”, dhe të dy si shtetas jo italianë kishim nevojë për të njëjtën letër. Pikërisht në kuesturën e Napolit kanë lindur edhe shkëndijat e para të njohjes, e më pas përfunduam të martuar.

“Kemi një vajzë bashkë, e cila padyshim që flet edhe shqip por edhe italisht, përveç anglishtes. Barbara ka qenë disa herë në Shqipëri, siç ndodhi edhe verën e fundit, sepse këtu në Tiranë kam nënën time, ndërsa babai nuk jeton më. Pavarësisht skepticizmit të fillimit, prindërit e mi arritën ta njihnin atë përpara se të martoheshim, erdhën njëri pas tjetrit në Itali dhe u krijua një afirmim jo thjesht formal, por edhe i ndjerë. Probleme me gjuhën nuk kemi hasur, sepse babai im fliste italisht dhe ajo e njihte shumë mirë këtë gjuhë, ndërsa nëna ime flet edhe anglisht, gjë që ajo e ka gjuhën e nënës. Duke qenë si djalë i vetëm e di shumë mirë që nëna është ajo që e vuan më shumë largësinë time, por jetojmë në një situatë kozmopolitane dhe nuk është ndonjë problem, herë vijmë ne dhe herë e kemi marrë mamin nëpër vende të tjera. Për vajzën mund të them se është duke e jetuar jetën si ‘me shumë pole dhe shumë kultura’, pasi atje në Amerikë ka gjyshërit e saj nga mami, ndaj është e qetë në këtë aspekt”, ka folur shkurtimisht Gjergji mbi jetën familjare.

Top Channel