Historia e Gjikës me drejtësinë, Gjykata rrëzoi akuzat për 3 leje ndërtimi

06/02/2015 00:00

27 nëntorin e kaluar Shpëtim Gjika u shpall i pafajshëm një ditë përpara  Festës së Flamurit, pikërisht një ditë përpara se Qeveria dhe Presidenti të zbrisnin në Vlorë për të festuar 102-vjetorin e Pavarësisë, në të cilën edhe pse kryebashkiaku u shfaq i rreshtuar në krah të krerëve më të lartë, u shmangën fjalimet tradicionale të kësaj dite.

Në atë kohë vendimi i drejtësisë u prit me brohorima nga përkrahësit e Gjikës, i cili nuk mungoi në asnjë nga seancat e zhvilluara ndaj tij, jo në gjykatën e qytetit ku ishte kryebashkiak, por në Tiranë.

Në vendimin e pafajësisë gjykata tha se Prokuroria nuk ja kishte dalë mbanë të provonte se për çfarë qëllimi Gjika bashkë me të pandehurit e tjerë ishte përfshirë në këtë sipërmarrje, se prokuroria nuk e kishte bindur që ishte konsumuar falsifikimi dhe shpërdorimi i detyres dhe se qendrimi i organit të akuzës në lidhje me dhënien e lejeve për tre objekte ishte në kuadrin e hamendësimeve.

Prokuroria nga ana e saj qendroi në pozicionin e saj duke e akuzuar Gjikën se kishte falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të Këshillit të Rregullimit të Territorit që i përkasin vitit 2010 në një kohë që këto leje nuk kishin qenë objekt i këtyre mbledhjeve.

Këtë argumentim, Prokuroria e ka vendosur edhe në apelin e depozituar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku edhe këmbëngul burgun për Gjikën. Argumentat e saj janë me arsyetimin se provat e akuzës janë interpretuar jashtë kontekstit.

Nga ana e saj Gjykata e Apelit pritet të caktojë një datë për nisjen e këtij gjyqi penal, por deri atëherë duhet parë nëse Gjika do ta ndjekë këtë proces të apelit i lirë apo i burgosur për akuzën e dytë të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimi, që sapo është ngritur ndaj tij.

Ajo që nuk dihet ende është se për gjyqin e dytë ndaj Gjikës do të zhvillohet në Vlorë, apo si për procesin e parë do të shpallet moskompetencë dhe gjyqi do te zhvendoset në një tjetër qytet të Shqipërisë.

Top Channel