Basha: Shit-blerja e energjisë, skemë kriminale

06/02/2015 00:00

Në daljen publike të tij, kryetari i PD, Lulzim Basha nuk e akuzoi Edi Ramën vetëm për papërgjegjshmëri. Basha cilësoi si skemë kriminale shit-blerjen e energjisë elektrike, ku para disa ditësh Operatori i Shpërndarjes ka blerë nga privatët energji me çmim gati dy herë më të shtrenjtë, sesa kompania tjetër publike KESH ua shiti energjinë të njëjtëve privatë pak më vonë.

“Nëqoftëse OSHEE do ta kishte blerë energjinë direkt nga KESH-i, taksapaguesve shqiptarë do t’u ishin kursyer të paktën 4 milionë euro. Këto do të mjaftonin për të ndihmuar në normalizimin e situatës së mijëra familjarëve që nuk kanë sot energji, ujë të pijshëm, medikamente, ushqime për vete apo për gjënë e gjallë”, theksoi Basha.

Kryetari i PD kërkoi vënien në lëvizje të menjëhershme të organit të akuzes. “Unë i bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm që të nisë menjëherë, sot, tani hetimet për këtë vjedhje, për këtë përfitim të qeveritarëve në kurriz të të përmbyturve dhe gjithë taksapaguesve shqiptarë”, apeloi Basha.

Për shefin e opozitës, rasti i shit-blerjes abuzive të energjisë elektrike është dëshmi flagrante e keqqeverisjes. “Në fakt, kjo ilustron edhe njëherë se emergjenca më e madhe  kombëtare është kryeministri i papërgjegjshëm dhe i korruptuar, Edi Rama. Kjo është qeveria e korrupsionit, e mashtrimeve dhe e papërgjegjshmërisë”, shtoi Basha.

Top Channel