Jordania: Skeptikë ndaj pretendimit të ISIS, është pjesë e propagandës së tyre

06/02/2015 00:00

Pas lajmit të publikuar nga militantët e Shtetit Islamik mbi vdekjen e një femre amerikane të mbajtur peng prej sulmeve ajrore dhe bombardimeve të Jordanisë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i vendit monarkik të Lindjes së Mesme.

Jordania deklaroi të premten pasdite se ishte thuajse tërësisht skeptike në lidhje me pretendimet e militantëve ekstremistë se pengu i tyre i mbajtur në Siri u vra nga bombardimeve e avionëve luftarakë jordanezë.

“Do të hetojmë mbi këtë rast, por sa për reagim të parë mendojmë se logjika është që ne të jemi tepër skeptikë për pretendimin e tyre. Ndoshta kjo është pjesë e propagandës së tyre kriminale”, tha zëdhënësi i qeverisë, Mohammad Momani. “Si mund t’i identifikojnë ata avionët luftarakë jordanezë nga një distancë tepër e largët në qiell? Për më tepër, çfarë mund të ketë qenë duke bërë një femër amerikane në një depo armatimesh?”, shtoi më tej ai.

Jordania njoftoi të premten se kishte ndërmarrë ditën e dytë të sulmeve ajrore ndaj militantëve të Shtetit Islamik, në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e pilotit jordanez të marrë peng e të djegur për së gjalli nga ekstremistët.

Top Channel