Në ndihmë të familjeve të përmbytura

06/02/2015 00:00

Emergjencat civile, Kryqi i Kuq, organizata të ndryshme, individë e biznese kanë dërguar ndihma në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura.

Por ndihma më e madhe për ta ka ardhur nga solidariteti mes vetë banorëve dhe të afërmve nga komunat pranë që nuk janë përmbytur. Pjesa dërrmuese e familjeve të dëmtuara u strehuan në zonat përreth dhe pas kthimit në shtëpi ndihma ka vijuar.

Banorët e komunës Vllahinë, e cila ndodhet pranë zonës së përmbytur por në një terren më të lartë, me organizimin e kryekomunarit mblodhën ndihma dhe nisën t’i shpërndanin ato për banorët e Novoselës fqinje.

“Edhe ne si Komunë e Vllahinës solidarizohemi dhe kemi sjellë sot 100 pako me ndihma ushqimore në ndihmë të këtyre banorëve. U bëjmë thirrje të gjithë biznesve, të gjithë komunave të tjera që të sjellin sadopak ndihmë për këta banorë të përmbytur nga kushtet e këqija të motit”, thotë Gëzim Hoxha, Kryetar i Komunës Vllahinë.

Dhjetëra tonë ushqime, batanije e veshmbathje janë grumbulluar në magazinën e komunës, ndërkohë që gjatë ditës ka vijuar edhe shpërndarja e ndihmave nga mjetet e ushtrisë.

Ndërkohë, problem kryesor për fermerët e dëmtuar nga përmbytja vazhdon të jetë sigurimi i ushqimit për bagëtitë që shpëtuan gjallë.

Ndihma e fermerëve të Divjakës

Fermerët e Divjakës u organizuan dhe dërguan ushqime për blegtorinë në Darzezë dhe Hoxharë.

“Mund t’i duket shkak kujtdo që nuk e njeh as punën dhe as Lushnjen. Nuk është shaka. Unë po ju them që në gjithë këtë hapësirë, sot që flasim mund të ketë mbi 200 mln dollarë me vlerë tregu produkt që ka shpëtuar nga gjithë kjo katastrofë natyrore dhe që i shkon ekonomisë familjare dhe natyrisht ekonomisë kombëtare. Së dyti, edhe pse jemi në këtë gjendje jemi mobilizuar që me ç’mundësi kemi, banorëve të zonës, drejtuesve të pushtetit vendor, drejtues të disa institucioneve respektive, por edhe sipërmarrësve të kësaj zone të bëjmë ç’është e mundur që t’i gjendemi në krah gjithë zonës së goditur. Ne po shkojmë në Darzezë dhe në Hoxharë. Atje do të na orientojë Shtabi i Emergjencës së Fierit për të dërguar ushqim për bagëtitë, gjëja më emergjente që ata njerëz në atë zonë shumë blegtorale kanë nevojë për momentin”, deklaroi deputeti i zonës, Erjon Braçe.

Italianët e by pass-it, ndihma në Darëzezë e Rrethfik

Rreth 700 pako me ushqime dhe 13 tonë bazë ushqimore për
bagëtitë, me vlerë 3 milionë lekë të reja, janë shpërndarë nga firma italiane
“Serenissima” dhe firma nënkontraktore shqiptare që po ndërtojnë by
pass-in e Fierit për zonat e përmbytura. 

Në fshatrat Darëzezë dhe Rrethfik përfaqësuesit e tyre janë
pritur nga krerët vendorë dhe deputetë të majtë. “Jemi të gatshëm të
kontribuojmë për çdo gjë që ju duhet”, thanë përfaqësuesit e këtyre firmave.

Në Darëzezë autoriteteve lokale u janë dorëzuar 200 pako
ushqimore dhe 6 tonë himë për bagetitë. Në fshatin Rrethfik të komunës Levan,
dëmet nga përmbytjet janë gjithashtu të konsiderueshme. 

Distanca e largët dhe terreni i vështirë rrugor kanë bërë që
kjo zonë të mos përfitojë vëmendjen e duhur gjatë vërshimit të ujërave.

Kompanitë që po ndërtojnë by pass-in shpërndanë 250 pako me
ndihma dhe 7 tonë ushqim për bagëtitë në këtë fshat, ndërkohë qeë rreth 250
pako të tjera janë lënë në dispozicion të shtabit të emergjencës në Prefekturën e Fierit.

Dëmet nga vërshimi i Vjosës

Vërshimi i ujërave të Vjosës nuk ka shkaktuar dëme vetëm në Fier dhe Vlorë, por edhe në Përmet e Këlcyrë.

Rruga nacionale për disa ditë u mbulua nga ujërat ndërsa është gërryer në shumë vende, ndërkohë që edhe një nga urë kalimi është dëmtuar tërësisht.

“Pushteti lokal bëri preventivin e dëmeve dhe pritet që qeveria të vijë të riparojë këto, të vendosë në funksion sa më të shpejtë urat për kalimin e njerëzve dhe bagëtive”, deklaroi deputeti i zonës, Vladimir Kosta.

Top Channel