Sanksionet e reja të BE-së, në listë edhe zv.ministri rus i Mbrojtjes

06/02/2015 00:00

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov, është objektivi i rangut më të lartë të sanksioneve të reja, që priten të vendosen formalisht nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, të hënën e ardhshme, bëjnë të ditur burime diplomatike për “Reuters”.

Të dërguarit e qeverive të BE-së 28-anëtarëshe ranë dakord këtë javë për një listë me shtetas rusë dhe ukrainas prorusë, por edhe organizata, që do t’i shtohen listës së gjatë të sanksioneve të BE-së, në atë që konsiderohet si përgjigjja e fundit ndaj dhunës së shkaktuar prej rebelëve prorusë në Ukrainë.

Lista, që do të dorëzohet në ministerialin e së hënës, përfshin 19 individë ukrainas apo rusë, si dhe 9 organizata, njëra prej të cilave ruse. Emrat e tyre mbeten edhe të pazbuluar momentalisht.

Gjithsesi, burime diplomatike thanë të premten se Antonov, njëri prej shumë zëvendësve të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, do të jetë figura më e lartë e pesë rusëve në listë, së bashku me 14 separatistë ukrainas. Disa shtete europiane armiqësore ndaj Rusisë kërkuan edhe sanksione kundër vetë Shoigusë. Kompromisi ishte që të goditej edhe vetë Antonov, tha burimi.

59-vjeçari është një diplomat karriere, i cili është përgjegjës për bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar. Ai ka një eksperiencë të madhe negociatash mbi çështje të tilla si armët kimike apo biologjike, si dhe mospërhapjen e armëve bërthamore.

Ai ka bërë disa komente të ashpra gjatë muajve të fundit, që mund të kenë irrituar edhe Perëndimin, përfshi akuzat ndaj NATO-s në dhjetor se e kanë kthyer Ukrainën në një “linjë konfrontimi” me Rusinë. Antonov është listuar për shkak se ka qenë ndër pjesëmarrësit në konferencën e përvitshme të sigurisë, që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.

Top Channel