Hapen portat e hidrocentralit të Ulzës dhe të Shkopetit

06/02/2015 00:00

Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë që në dy hidrocentralet në Ulëz dhe në Shkopet të hapen portat e si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.

Të paktën dy nga katër portat e hidrocentralit të Ulzës, për shkak të prurjeve të mëdha të lumit të Matit dhe lumenjve të tjerë që derdhen në liqenin e Ulzës, janë hapur që prej paradites së sotme, pasi ka pasur reshje të shumta shiu për gjatë gjithë ditës.

Hapja e portave në hidrocentralin e Shkopetit ka krijuar probleme për ultësirën e Kurbinit dhe Lezhës.

Në hidrocentralin e Ulzës prurjet përgjatë paradites ishin në 364 m3/s dhe shkarkimet rreth 300 m3/s. HEC-i i Ulzës punon me kapacitet të plotë, ku të katër turbinat janë në punë.

Në hidrocentralin e Shkopetit, kuota maksimale është 76 metra, ku prurjet sot ishin në masën 380 m3/s dhe shkarkimi 400 m3/s.

Te dy hidrocentralet punojnë me kapacitet të plote, ku ai i Ulzës me katër turbina dhe ai i Shkopetit me dy të tilla.

Burime nga dy hidrocentralet , shprehen se situata për momentin është nën kontroll, por nëse reshjet do të vazhdojnë me intensitet të lartë, atëherë do të detyrohen të hapin të gjitha portat shkarkuese.

Top Channel