Meksikë, zbulohen 60 trupa të pajetë në Akapulko

07/02/2015 00:00

Policia meksikane ka zbuluar në një krematorium të braktisur në lokalitetin e Akapulkos 60 trupa të pajetë.

Mediat lokale raportojnë se zbulimi erdhi pas denoncimit të banorëve përreth, të cilët filluan të dyshonin për shkak të erës së rëndë që vinte dhe thirrën policinë.

Trupat, gra, burra dhe fëmijë u gjetën të balsamosur dhe gati për kremtim, deklaruan autoritetet lokale. Policia ka nisur një hetim mbi këtë ngjarje, përfshirë këtu pistat për përdhosje të trupave dhe shkeljes së ligjeve për varrimin dhe zhvarrimin.

Krematoriumi ishte mbyllur një vit më parë për shkak të falimentimit apo dështimit në shlyerjen e borxheve ndaj kreditorëve, deklaroi një prokuror.

“Me dështimin e kremtimit të trupave janë shkelur ligjet federale dhe vendore mbi shëndetësinë”, deklaroi zyrtari.

Autoritetet thanë se mendojnë se trupat ishin bërë gati për kremtim dhe më pas janë lënë të dekompozohen pasi biznesi u mbyll.

Foto nga vendi i ngjarjes, të publikuara në mediat lokale, tregojnë pirgje me trupa të mbledhur me çarçaf dhe të vendosur në dyshemenë e godinës.

Mediat lokale raportojnë se mbi trupat ishte hedhur gëlqere për të shmangur erën e rëndë. Policia ka marrë në pyetje agjenci të ndryshme mortore për t’i pyetur nëse kanë dërguar në dy vitet e fundit trupa për kremtim.

Kryeprokurori Miguel Angel Godinez tha për një radio lokale se disa dokumente janë gjetur në pronën private që mund të ndihmojnë në ndjekjen e pistave të hetimit. Ai shtoi se ekspertët po punojnë për të përcaktuar prej sa kohësh trupat ndodheshin në ndërtesë.

Krematoriumi ndodhet në shtetin e Gerreros, 200 kilometra larg qytetit Iguala, ku 43 studentë u zhdukën në shtator.

Top Channel