Brazil, shkëmbim zjarri me policinë, vriten 13 grabitës

07/02/2015 00:00

Të paktën 13 persona kanë mbetur të vrarë në Brazil, në një shkëmbim zjarri mes policisë dhe një grupi grabitësish në qytetin e Salvadorit.

Oficerët e policisë deklaruan se mbërritën në vendin e ngjarjes pas informatave të marra se një bandë po planifikonte grabitjen e një banke dhe shkëmbimi i zjarrit nisi pasi të dyshuarit hapën zjarr.

Të 16 anëtarët e bandës u prekën nga shiu i plumbave dhe u dërguan në një spital të afërt, ku 13 prej tyre ndërruan jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Nga ana e saj policia njoftoi se asnjë nga oficerët nuk mbeti vrarë, por njëri prej tyre u plagos lehtë. Ndërkohë, një hetim është hapur mbi ngjarjen.

Policia braziliane është kritikuar shumë në të kaluarën për përdorim të tepruar të forcës në përpjekjen për të vënë nën kontroll valën e krimit në lagjet e varfëra të vendit.

Top Channel