Përmbytjet, mbërrijnë 14 kamionë me ndihma nga Kosova

07/02/2015 00:00

Kanë hyrë mëngjesin e së shtunës nga Kosova në Shqipëri 14 kamionë me ndihma për banorët e zonave të përmbytura të vendit.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Bujqësisë, e cila përmes një komunikate për shtyp ka saktësuar se ndihmat janë mbledhur nga rreth 300 biznese nga Kosova.

Sipas njoftimit për shtyp, ndihmat konsistojnë në ushqime për njerëzit dhe bagëtitë, si dhe batanije e veshmbathje.

Ndihmat u mblodhën në kuadër të një nisme të ndërmarrë nga ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili një ditë më parë falenderoi bizneset e Kosovës për kontributin e tyre.

“Është një kërkesë e biznesit kosovar dhe individëve për të përkrahur vëllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit dhe unë i falenderoj së tepërmi të gjithë ata që kanë treguar dëshirën e tyre për të ndihmuar në këtë proces”, deklaroi Minxhozi një ditë më parë.

Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ftoi sërish të gjitha bizneset që të kontribuojnë me donacione, duke kujtuar se ishte Shqipëria ajo që i doli në ndihmë kosovarëve në vitin 1999.

“Është një moment që ne t’i përgjigjemi ftesës së atyre njerëzve që sot janë në shi, që kanë humbur shtëpitë dhe bagëtinë. Kjo ftesë na vjen nga Shqipëria dhe ne duhet t’i përgjigjemi asaj sepse ishte Shqipëria e vitit ‘99 që hapi dyert për shumë prej nesh që sot jemi këtu dhe për shumë të tjerë që nuk janë këtu”, deklaroi Shahini.

Në ndihmë të familjeve të prekura nga vërshimet doli edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me ushqime në vlerë monetare prej 900 eurosh, si dhe bizneset e regjistruara në këtë zyrë.

Top Channel