Britani, Miliband paralajmëron “parajsat fiskale”

07/02/2015 00:00

Lideri i laburistëve në Britaninë e Madhe, Ed Miliband ka paralajmëruar se nëse fiton zgjedhjet, qeveria e tij do të punojë që territoret e Mbretërisë së Bashkuar përtej oqeanit të përfshihen në një listë të zezë ndërkombëtare nëse refuzojnë të bashkëpunojnë për zbardhjen e skemave të evazionit fiskal.

Në një letër zyrtare, Miliband tha se rajoneve përtej detit do t’u jepen gjashtë muaj kohë për të hartuar një regjistër publik të kompanive “offshore”.

Nëse dështojnë në këtë nismë, ato mund të futen në listën e “parajsave fiskale” të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, bëri me dije Miliband.

Por një burim nga radhët e konservatorëve tha për BBC se Mbretëria e Bashkuar ka nisur tashmë një projekt të tillë.

Në një intervistë për “The Guardian”, Miliband hodhi poshtë deklaratat se laburistët janë një parti anti-biznes. “Nuk ka asgjë pro-biznesit nëse mbrohen evazorët”, tha ai.

Letra e Miliband u është dërguar territoreve koloniale të Britanisë si Anguila, Bermuda, Ishujt Britanikë të Virgjër, Ishujt Kajman, Gjibraltarit, Montserratit, etj.

“Po ju shkruaj për t’ju vënë në dijeni se një qeveri laburiste nuk do të tolerojë vazhdimin e këtyre praktikave”, shkroi Miliband.

Ai paralajmëroi autoritetet drejtuese të territoreve se do t’u duhet të hartojnë një regjistër me akses publik brenda 6 muajsh nëse laburistët fitojnë zgjedhjet e përgjithshme të majit.

“Nëse ndonjë nga këto territore nuk i përmbahet afatit, ne do t’i kërkojmë Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që t’i vendosë ato në listën e zezë të parajsave fiskale”, paralajmëroi Miliband.

Top Channel