Gjika le Vlorën, transferohet në spital në Tiranë. Mjekët: Duhet mbajtur nën vëzhgim

07/02/2015 00:00

Në të njëjtën ditë teksa kryebashkiaku i Vlorës Shpetim Gjika po transportohej nga Spitali Rajonal drejt Tiranës, dy të arrestuarit e tjerë me të, Doriana Sulaj dhe Artur Harxhi dolën para gjykatës së qytetit bregdetar për t’u njohur me veprat që ju adreson organi i akuzës.

Ky veprim procedurial ishte thjesht një seancë njohjeje për të konfirmuar  identitetet e dy të arrestuarve Sulaj dhe Harxhi, duke qenë se ndaj tyre ishte shpallur një masë arresti me burg  në mungesë.

Ndërkohë burimet thanë se të dielën një prokuror dhe një gjyqtar do të udhëtojnë po ashtu drejt Tiranës për të zhvilluar një seancë njohjeje edhe për kryebashkiakun Gjika, i arrestuar po ashtu me vendim gjykate sipas masës arrest me burg në mungesë.

Kryebashkiaku Gjika për shkak të komplikacioneve me shëndetin po trajtohet me kurim më të specializuar në një spital privat në Tiranë.

“Duke qenë se ne mendojmë që bëhet fjalë për sëmundje të zemrës, minimumi 72 orë ai do të vëzhgohet. Sipas parametrave, sipas gjendjes së tij të përgjithshme, do të vendosim për momentin më të përshtatshëm për kryerjen e koronarografisë”, deklaroi mjeku kardiolog, Bekim Jata.

Komplikacionet shëndetësore të Gjikës menjëherë pas arrestimit të tij i konfirmuan më herët edhe mjekët e Spitalit të Vlorës.

“Mund të jetë edhe një stres i tepruar që ka krijuar një krizë hiperintensive që është shoqëruar me këtë gjendje të tijën”, sqaron mjeku Jata.

Shoqërimi i Gjikëss drejt kryeqytetit u krye në mesditë me forcat e policisë rajonale si edhe nën praninë e mbështetësve të kryebashkiakut, të cilët i kanë qendruar përgjatë natës në spital.

Kryebashkiaku Gjika u arrestua mesditën e të premtes në banesën e tij në Vlorë pas një akuze të Prokurorisë mbi shpërdorimin e detyrës për dhënien e një lejeje ndërtimi për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar.

Top Channel