Ukraina, Hollande: Nëse dështojmë shpërthen lufta

07/02/2015 00:00

Përfundimi më i qartë mbi krizën ukrainase ka ardhur këtë të shtunë nga presidenti francez Francois Hollande, pas takimit trepalësh të mbrëmjes së të premtes me homologun rus Vladimir Putin dhe kancelaren gjermane Angela Merkel në selinë e Kremlinit.

“Nëse propozimi ynë do të dështojë, skenari i vetëm është lufta”, ka thënë Hollande, duke lënë të kuptohet se marrëveshja e paqes mes BE, SHBA, Rusisë dhe Ukrainës është ende larg.

Duke folur nga Mynihu, ku po zhvillohet konferenca për sigurinë, edhe kancelarja gjermane nuk u shfaq shumë optimiste. “Pas bisedimeve të së premtes nuk mund të them se patëm sukses, por megjithatë përpjekja ia vleu”, deklaroi Merkel.

Ajo shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të forcuar sigurinë dhe rendin në Evropë në bashkëpunim edhe me Rusinë.

“Është thelbësore që të përballemi me sfidat ndërkombëtare, si asgjesimi i armëve të shkatërrimit në masë apo terrorizmi. Prandaj zgjidhjen duhet ta gjejmë së bashku dhe në këtë drejtim, bashkëpunimi me Rusinë është i mundur”, tha kancelarja.

Sa për luftimet në lindje të Ukrainës, ajo theksoi se kufijtë duhen respektuar dhe po ashtu edhe liria e popujve për të vendosur vetë mbi të ardhmen e tyre.

Merkel shtoi se Evropa në fushën e sigurisë dëshiron të punojë me Rusinë dhe jo të jetë kundër saj, duke kundërshtuar opsionin e dërgimit të armëve për palën ukrainase.

“Nëse është e vërtetë që zgjidhja nuk mund të jetë ushtarake, atëherë dërgimi i armëve nuk është zgjidhje”, theksoi Merkel.

Për momentin nuk dihen detajet e propozimit të paqes të bërë nga dyshja Hollande-Merkel për presidentin rus Putin, por mësohet se deri tani ajo është mbështetur nga presidenti ukrainas Petro Poroshenko.

Megjithatë, në konferencën e Mynihut, ku të pranishëm mes të tjerësh janë zv.presidenti amerikan Joe Biden dhe ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov, mbizotëron pesimizmi.

Ndërkohë, NATO, përveç se është e gatshme të çojë përpara linjën e re të aksionit, duke vendosur ekipe ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë në kufijtë ukrainas, ka folur sërish për mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak të situatës.

Top Channel