Thaçi: Brukseli të liberalizojë vizat. Nisma: Kjo është një shpërngulje e dhimbshme

07/02/2015 00:00

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi,
thotë se qytetarët e Kosovës që po emigrojnë po mendojnë se i pret një
mrekulli në vendet perëndimore.

“Gjithsesi, duhet më tepër ‘edukim’ në këtë fenomen nga lidershipi i Kosovës, që qytetarët tanë të mos mashtrohen, duke u larguar dhe lëshuar Kosovën. Me një shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë në qendrat e azilantëve nëpër Evropë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Agjencinë INA.

 “Mesazhi, im është duke u bërë thirrje edhe me këtë rast, që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë jetën e tyre, për një jetë më të mirë dhe çdonjeri prej tyre të ndihet i sigurt në Kosovë. Por, gjithashtu edhe Brukseli, duhet të lëvizë më shpejt në liberalizmin e vizave, që qytetarët e Kosovës të mos vazhdojnë të jenë vendi më i izoluar në drejtim të lëvizjes së qytetarëve të saj nëpër Evropë”, u shpreh Thaçi.

Nisma për Kosovën thotë se në Kosovë, ‘para syve te qeveritarëve po ndodh shpërngulja më e dhimbshme qytetarëve, e jo migrim ilegal siç po e quan Qeveria e Republikës’.

Ne komunikaten e tyre per shtyp thuhet “Kjo nuk është vetëm shpërngulje e qytetarëve,nga Kosova,por largohen edhe bizneset me paratë e tyre. Kjo situatë pa dyshim që do të lërë pasoja tjera në ekonomin e vendit dhe në Buxhetit e Kosovës. Sigurisht në të ardhmen do të kemi edhe më pak tatime në të ardhura, më pak të ardhura në dogana, më pak konsum etj. Tek shumica e qytetarëve që po e lënë Kosovën mbizotëron bindja se atje nuk ka punë, nuk ka kushte për jetë normale, nuk ka siguri dhe se mungon perspektiva për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Nisma për Kosovën konsideron se, ‘pasojë e kësaj gjendje janë keqqeverisja e vazhdueshme, sidomos në vitet e fundit dhe koalicioni i tanishëm qeverisës ka qenë tepër zhgënjyes për qytetarët. Thonë se kjo qeveri me politikat e saj të dëmshme në çdo segment të jetës, ka shkatërruar besimin dhe entuziazmin e qytetarëve për ndryshime pozitive’.
 

Top Channel