Tiranë, goditet grupi kriminal që merrej me trafikimin e femrave për prostitucion

07/02/2015 00:00

Goditet një grup i strukturuar kriminal  që merrej me trafikimin e femrave, me qëllim  shfrytëzimin e prostitucionit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Ekspres”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë  e Krimeve të Rënda, pas një hetimi disamujor arrestoi shetasit, Qemal Rusi, 47 vjeç me precedent penal në fushën e falsifikimit të dokumenteve, Dornard Saraçi, 48 vjeç, Ismail Gjineci, 23 vjeç dhe Amarildo Rusi, 22 vjeç, që të gjithë banesës në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë në  funksion të procedimit penal,  për veprën penale të “Trafikimit të personave të rritur”. Gjatë hetimit disa mujor nga Strukturat e Policisë është bërë dokumentimi i plotë i gjithë aktivitetit kriminal të këtij grupi, i cili operonte për një kohë të gjatë si në vendin tonë ashtu edhe jashtë shtetit.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin rekrutonin femra kryesisht nga zonat rurale. Shfrytëzimi i femrave kryhej në hotele të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë kundrejt çmimeve të konsiderueshme.

Nga hetimet ka rezultuar se femrat e shfrytëzuara i përkisnin grupmoshave të ndryshme, mes të cilave edhe minorene. Përfitimet e marra nga prostitucioni përvetësoheshin nga tutorët dhe femrat e shfrytëzuara ishin gjatë gjithë kohës nën presion psikologjik. Vijojnë hetimet për dokumentimin  e plotë  të rolit të gjithsecilit pjesëtar të grupit si dhe për të parë nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel