Porti i Durrësit, në ndihmë të zonave të përmbytura

07/02/2015 00:00

Autoriteti Portual në Durrës ka dhënë një fond emergjence prej 15 milion lekësh si dhe ka apeluar për të gjithë personelin dhe punëtorët e kësaj ndërmarrjeje që të mbështesin fushatën me ndihma ushqimore apo sende të ndryshme të nevojshme për familjet e përmbytura.

“Me këtë situatë të sotme, kur mijëra bashkëqytetarë, familje, motra, vëllezër janë në kushte vështirësie ekstreme si rezultat i përmbytjeve prej motit të jashtëzakonshëm të javës së fundit, ne në asnjë mënyrë nuk mund të qendrojmë indiferentë. Në këto kushte ka lindur në Portin e Durrësit nisma e solidartetit me të gjithë qytetarët që kanë nevojë për dorën e ndihmës, mbi të gjithë ngrohtësinë njerëzore”, deklaroi Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual të Durrësit, Selim Belortaja.

Gjatë takimit të organizuar në port për ndërgjegjësimin e sa më shumë njerëzve u deklarua që kësaj nisme do t’i bashkohen edhe kontributet personale të punonjësve të administratës portuale, si dhe përfaqësues të kontraktuesve portualë, konçesionarëve dhe agjencive të ndryshme.

Top Channel