Volejboll, Studenti fiton kupën për të 15-n herë

07/01/2015 00:00

Studenti fiton Kupën e Shqipërisë në volejbollin e meshkujve për këtë sezon. Skuadra e Ylli Tomorrit mbrojti me sukses trofeun që në këto dy dekadat e fundit mban thuajse ekskluzivisht emrin e saj, pasi e ka fituar plot 15 herë.

Ekipi që dominon volejbollin e meshkujve mposhti 3-0 në finale Farka Volej, surprizën e bukur të këtij sezoni që arriti deri në fund të rrugës për Kupën. Përballë eksperiencës dhe kualitetit të Studentit, nuk shërbeu kurajoja dhe freskia e Farka Volej.

Ekipi i Ylli Tomorrit e kishte vlerësuar maksimalisht kundërshtarin duke treguar muskujt që në setin e parë që e fituan me shifrat 25-15. Fillimi i setit të dytë ishte më i miri për skuadrën e trajnerit Dritan Bardhi që mori kryesimin për herë të parë dhe të vetme fillimisht 4-0 dhe më pas 7-3 , megjithatë eksperienca e Studentit me dy senatorë si Tukseferi e Gorenca, por dhe kualitetin e dy bullgarëve Buldiev dhe Vasiliev bëri edhe një herë diferencën, duke përmbysur gjithçka për të marë kryesimin në rezultatin 25-17.

Në setin e 3-të kampionët në fuqi thelluan epërsinë duke gjetur menjëherë avantazhin 6-1 dhe takimi vijoi me një drejtim të vetëm, aq sa trajneri Ylli Tomorri kishte luksin e zëvendësimeve për t’i dhënë kënaqësinë e aktivizimitt të gjithë lojtarëve duke e mbyllur setin me diferencë të thellë 25-9 me një 6-she krejt tjetër  në parket.

Studenti në këtë mënyrë siglon emrin e tij në edicionin e 60-të të Kupës së Shqipërisë, ndërsa për Farka Volej ekipin e krijuar vetëm para 6 vitesh dhe që ka një mesatare moshe prej 18 vjeç e regjistron këtë finale si një fitore historike për një skuadër kaq të vogël.

Top Channel