Maqedoni, të hënën “bombat” e LSDM-së kundër Qeverisë

08/02/2015 00:00

Partia opozitare Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, do të nisë nga e hëna publikimin e dëshmive për “aferat kriminale” të qeverisë. Vendimi është marrë nga Këshilli qendror i partisë.

Social-demokratët maqedonas vlerësojnë se duhet të zbardhet e vërteta përmes dokumenteve, që dëshmojnë kriminalitetin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e pushtetit, përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve, si dhe kontrollin e plotë e keqpërdorimin e të gjitha institucioneve shtetërore për qëllime partiake e zgjedhore, nga ana e drejtuesve të qeverisë.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i quan “bomba” dëshmitë që posedon kundër pushtetit, dhe pret që me publikimin e tyre të çojë në histori qeverinë aktuale. Për një pjesë të dëshmive, që priten të publikohen nga e hëna, kryeministri Gruevski ka thënë se janë të vërteta.

Megjithatë, shefi i qeverisë ka akuzuar rivalin e tij politik se me këto dokumente, të siguruara përmes shërbimeve të huaja sekrete, po tenton të marrë pushtetin me dhunë.

Ish-funksionarë të partisë së Zaevit nuk përjashtojnë mundësinë, që ky i fundit të arrestohet nga policia, menjëherë pasi të fillojë me publikimin e aferave të qeverisë.

Situata e fundit ka shqetësuar dukshëm bashkësinë ndërkombëtare. Ambasadat e huaja në Shkup kanë apeluar që procesi i hetimit, lidhur me akuzat e ngritura kundër liderit të opozitës për puç shtetëror, të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe transparente.

Analistët thonë se Maqedonia po futet në një krizë të thellë politike, që mund të ketë pasojë edhe mbi stabilitetin e vendit.

Top Channel