Ambasadori gjerman në komunitetin rom: Gjermania s’pranon azilantë

08/02/2015 00:00

Komuniteti rom, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i segmentit të Unazës së Madhe të kryeqytetit, thonë se do të kërkojnë azil politik në bllok, nëse nuk gjendet një zgjidhje për strehimin e tyre.

“Në rast se shteti nuk na jep një zgjidhje për strehim, ne të gjithë sa jemi si komunitet do të kërkojmë strehim në Bashkimin Europian”, thotë një qytetar rom.

“Kam mbi 20 vjet që jetoj këtu, dua një zgjidhje sa më parë nga qeveria me shtëpi, ne të gjithë do të ikim në Gjermani”, thotë një tjetër qytetare e komunitetit rom.

Familjet rome u vizituan nga ambasadori gjerman, Helmut Hofmann, i cili thotë se Gjermania nuk mund të pranojë emigrantë për arsye ekonomike. Ai kërkoi një zgjidhje të drejtë për strehimin e familjeve rome, që merr në konsideratë kushtet e varfërisë ekstreme, në të cilat jeton ky komunitet.

Por, përtej kësaj, për ambasadorin gjerman përmirësimi i jetesës së komunitetit nuk mund të arrihet, nëse vetë ata nuk ndihmojnë në këtë proces. E kjo nis nga edukimi. Për këtë arsye, qeveria gjermane ka financuar ngritjen e qendrave ditore si “Dritarja e Dijes” në zonën e Paskuqanit, ku fëmijët edukohen por dhe nënat asistohen nga specialistë të ndryshëm.

“Shihet një shumicë e fëmijëve romë, sepse edhe të ardhurit këtu janë kryesisht nga ky komunitet, por ka edhe të tjerë dhe arsimohen të gjithë bashkë. Kjo sepse fëmijët nuk i kuptojnë këto ndarje, por e mirëpresin njëri-tjetrin. Ndaj që këtu fillon integrimi, kur ata bëhen të gjithë bashkë”, tha Enkelejda Qama, koordinatore e Qendrës “Caritas Albania”.

“Mesazhi më i rëndësishëm që mund të japim është që, nëse ky komunitet do të përmirësojë jetesën e tij, duhet të bëjnë të mundur që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë. Jam shumë i kënaqur që mund t’i ndihmojmë, e t’i mësojmë të kenë disiplinën për të vazhduar në këtë proces, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Karitasi gjerman po jep ndihmën e tij, por duhet edhe mbështetja e stafit këtu, e shtetit dhe veçanërisht e prindërve të tyre. Duhet të punojmë së bashku, pasi ndryshe nuk mund t’ia dalim me sukses”, tha Helmut Hofmann, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Top Channel