Fierza, 3 m nga pika maksimale. Gjiknuri siguron: Nuk ka rrezik për Shkodrën

08/02/2015 00:00

Nga Fierza, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri siguroi qytetarët, se situata në kaskadën e Drinit është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë rrezik për përmbytje të zonës së Shkodrës, si pasojë e hapjes së portave të hidrocentralit.

“Aktualisht, sot shkarkohen rreth 800 metër kub, që përfshin shkarkim 400 m3 dhe rreth 400 m3 të tjera prodhim energjie elektrike, duke bërë që me këto shkarkime të mbahen në ekuilibër të plotë të gjitha prurjet që vijnë aktualisht në rezervuarin e Fierzës. Me këto prurje dhe me këtë menaxhim që po i bëhet kaskadës nuk ka asnjë rrezik për përmbytje”, u shpreh ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri shoqërohej nga ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf. Si një vend me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve të sigurta të energjisë hidrike, Zvicra ka asistuar Shqipërinë me ekspertizë dhe ndihmë financiare për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës.

“Pas punës për rinovim në hidrocentralin e Fierzës u rrit prodhimi i energjisë elektrike, u ulën ndërprerjet e energjisë dhe u përmirësua efikasiteti me 4 %.  Kjo rritje në prodhim dhe efikasitet i dha mundësinë Keshit të sigurojë rreth 85 mln euro të ardhura në vit”, tha Sinc Christoph Graf/Ambasador i Zvicrës në Shqipëri.

Ekipi i TCH ka qenë të shtunën në kreshtën e digës së hidrocentralit të Fierzës, 312 metra mbi nivelin e poshtëm të HEC-it, nga ku shihej një nga portat e tij, tuneli numër 4, i cili është hapur nga autoritetet për shkak të rritjes së nivelit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit. Niveli në Fierzë ka qenë rreth 293 metra, nga 296 që është kapaciteti maksimal, ndërsa prurjet gjatë së shtunës kanë qenë 700 m3 për sekondë.

Top Channel