F1, Horner shuan entuziazmin e Ferrarit: Ishin më të shpejtët edhe në 2014-n

08/02/2015 00:00

Kohët e shpejta të regjistruara nga Ferrari në testimet dimërore të Jerez-it nuk e frikësojnë aspak Chris Hornerin.

“Kimi Raikkonen ka qenë më i shpejti edhe në ditën e parë të vitit të kaluar, por i gjithë sezoni i tyre nuk shkoi siç mund ta kishin parashikuar ata”, është shprehur drejtuesi teknik i Red Bullit. “Nuk ka aspak kuptim të shohësh tani, për më tepër me padurim dhe ankth, klasifikimin e kohëve të regjistruara”, shton lideri i skuderisë austriake, duke “shuar” disi entuziazmin përreth “kokëkuqes”.

I qetë dhe gjakftohtë, ashtu siç janë thuajse të gjithë në shtëpinë e Red Bullit, Horner shpjegon se testimet janë testime dhe është shpejt për të dalë në konkluzione, pavarësisht shpërthimit që ka pasur Ferrari në Jerez.

“Jemi mësuar të mos përqëndrohemi tek ajo çfarë bëjnë të tjerët, por vetëm te vetëvetja”, u shpreh ai, i cili ka folur më pas edhe për provat e dhëna nga njëvëndëshet e versionit 2015 të Red Bullit.

“Kanë qenë testime shumë pozitive krahasuar me ato të 2014-s. Kemi pasur probleme, por jo aq të mëdha sa vitin e kaluar, kur makina mbinxehej apo kur motori merrte flakë”. Për momentin puna e skudërisë austriake është fokusuar te njësia motorike. “Renault ka punuar shumë, por ka ende për të përmirësuar. Kemi shfrytëzuar më së miri kohën në dispozicion, djemtë kanë punuar tepër dhe mund të them se jemi lodhur disi”.

Në fund, Horner thur lavde edhe për Kvyat, i cili do të debutojë me Red Bullin këtë sezon të Formula 1, edhe pse “debutimi” ka nisur që nga testimet dimërore. “Ka qenë super, është përshtatur menjëherë dhe ka dalë në lartësinë e duhur. Ka pasur një incident të vogël dhe mungesa e pjesëve të këmbimit ndikoi në pjesën tjetër të ditës, por ka zhvilluar shumë kilometra, duke na dhënë informacione shumë të nevojshme”.

Top Channel