PD solidarizohet me banorët e zonave të përmbytura

08/02/2015 00:00

Lidhja Demokratike e Gruas dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisën të dielën drejt zonave të përmbytura të jugut një sasi të madhe ndihmash, si rezultat i solidaritetit të manifestuar nga qytetarët dhe anëtarët e Partisë Demokratike.

Qindra pako me ushqime, ujë të pijshëm, detergjentë e veshmbathje, ushqime për fëmijë, 86 krevatë me dyshekë, ushqim për gjënë e gjallë dhe një milion e gjysmë lekë vaksina për bagëtitë, u mblodhën pas thirrjeve për ndihmë që bëri Partia Demokratike. Ndihmat do të shpërndahen pranë banorëve dhe familjeve të evidentuara nga vetë të përmbyturit si më në nevojë, në Fier e në Vlorë.

Karvanit të ndihmave të nisur paradite nga selia qendrore do t’i bashkohen rrugës edhe kamionë të tjerë me ushqime e veshje, të siguruara nga degët e Partisë Demokratike. Kjo është dita e gjashtë, që demokratët gjenden pranë banorëve që vuajnë fatkeqësinë natyrore. Ndihma të tjera vazhdojnë të vijnë dhe do të shkojnë pranë familjeve të përmbytura.

Top Channel