Shpërndarja e ndihmave në Vlorë dhe Fier. Rama: Të evitohet çdo abuzim

08/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar zinxhirin e shpërndarjes së ndihmave për banorët e zonave të përmbytura duke u ndalur si fillim në qendrën bazë të grumbullimit të ndihmave të vendosur në  autostradën Fier-Vlorë, nga ku bëhet paketimi i ndihmave të mbërritura nga bizneset dhe rezervat e shtetit e më pas shpërndahen në pikat e pritjes në çdo fshat dhe komunë.

Kryeministri tërhoqi vëmendjen për të evituar çdo abuzim të mundshëm me to dhe shpërndarja të bëhet sipas regjistrit të përgatitur nga prefektura.

“Të mos ketë asnjë abuzim dhe asnjë shpërdorim të kohës, mjeteve dhe produkteve të grumbulluara. Me rëndësi është që ushqimi i siguruar për bagëtinë të shkojë në destinacion dhe të mos mungojë gjatë këtyre ditëve sepse kjo është shumë e rëndësishme për të mos humbur më krerë”, tha kreu i qeverisë.

Duke u shprehur mirënjohës ndaj bizneseve shqiptare dhe ato kosovare, Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të dëmshpërblejë banorët për çdo dëm.

“Po bëhet i gjithë inventari i dëmeve për t’u zhbërë në kohë lidhur me zëvendësimin e krerëve të humbur dhe lidhur me mbështetjen e atyre që kanë humbur prodhimin. Këtu bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme”, u shpreh Kryeministri.

Por Rama ka pyetur edhe vetë banorët se çfarë ndihmash kanë marrë deri më tani.

“Unë jam bir ballisti dhe që ju të më dërgonit ndihma unë nuk e prisja”, është shprehur një prej banorëve.

Kryeministri Rama: Këtu në zonën tuaj kanë ardhur rregullisht ndihma?

“Po, jemi shumë të kënaqur. Kanë dërguar, batanije, frigoriferë, lavatriçe edhe ushqim për blegtorinë. Nuk besoja, pasi në televizor ju dukeni krejt ndryshe nga këtu”, tha një banor.

Ministri Erion Veliaj i ka shpjeguar Kryeministrit se për të evituar abuzimet, çdo kryefamiljar i tërheq ndihmat duke u regjistruar me kartën e identitetit dhe hedh firmën e tij. Por përveç ndihmave të emergjencës, Rama ka premtuar dhe shkarkimin nga barra e energjisë elektrike për familjet e përmbytura dhe jo vetëm për ata që u përmbyten tani në pjesën jugore të vendit, por edhe për familjet në Shkodër dhe Lezhë që janë përmbytur vitet e mëparshme.

“Shumë shpejt do të japim një konkluzion për të prekurit nga përmbytjet lidhur me barrën e energjisë. Kjo gjë nuk do të bëhet vetëm për të prekurit nga përmbytjet tani, por edhe për të prekurit nga përmbytjet në Shkodër në vitet e kaluara. Edhe ata kanë mbetur me ‘gisht në gojë’, por ne do t’ua lehtësojmë këtë pjesë. Realisht, tani ju keni nevojë të merrni veten dhe nuk mund të kërkojmë më shumë se çfarë mund të jepni”, tha Kryeministri Rama.

Top Channel