Gjykata liron Shpëtim Gjikën, kryebashkiaku i Vlorës bën koronarografinë

08/02/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Vlorës i ka shpëtuar arrestit me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Trupa gjyqësore e ardhur nga Vlora në një spital privat në Tiranë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut Gjika, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.

Në ndryshimin e masës së sigurisë gjykata ka mbajtur paraysh në mënyrë të veçantë gjendjen shëndetësore të Gjikës, konfrimuar kjo edhe nga mjekët e spitalit privat.

Seanca gjyqësore ndaj Gjikës u ndërpre disa herë për shkak se kryetari i Bashkisë së Vlorës hasi problem të zemrës gjatë marrjes në pyetje. Pasi u njoh me masën e sigurisë, ai iu nënshtrua koronarografisë.

Ardian Leka, avokati i Shpëtim Gjikës, deklaroi: “Gjendja shëndetësore e të arrestuarit ishte shumë e rëndë. Në verifikim të këtyre kushteve, gjykata caktoi një tjetër masë sigurie.”

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, u arrestua ditën e premte pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dhënien e lejes së ndërtimit për një pallat shumëkatesh në qytetin bregdetar. Së bashku me Gjikën u vunë në pranga për këtë çështje edhe punonjësja tjetër e Bashkisë Vlorë, Doriana Sulaj, dhe biznesmeni Altin Haxhi, për të cilët gjykata ka vendosur masat e sigurisë “arrest me burg”.

Top Channel