Kriza e pagave, ngadalësohen në shtet, bien për punonjësit në privat

08/02/2015 00:00

Dekadën e kaluar, rritja e shpejtë ekonomike është shoqëruar me përmirësimin e nivelit të mirëqënies për pjesën më të madhe të familjeve.

Sipas INSTAT-it, nga viti 2000 deri në 2009-n, pagat reale të punonjësve në sektorin shtetëror u rritën mesatarisht me 9.5 për qind në vit, të zhveshura nga inflacioni. Bizneset gjithashtu kanë ndjekur të njëtin ritëm, duke rritur për çdo vit pagat për punonjësit e tyre dukshëm më shpejt se sa rritja e çmimeve.

Por, pas vitit 2009 periudha e artë e punonjësve duket se ka përfunduar. Në sektorin publik rritja e pagave pas krizës është ngadalësuar me gati tre herë duke rënë në 3.4 për qind në vit, për periudhën 2010-2013. E megjithatë, punonjësit e shtetit kanë qenë më me fat sesa ata që punojnë në sektorin privat.
Sipas INSTAT-it, në pjesën private nga fillimi i krizës, rrogat jo vetëm që nuk janë rritur më shpejt se inflacioni, por përkundrazi, kanë rënë. Të dhënat tregojnë se në vitin 2012, paga mesatare për punonjësit në privat ishte në terma realë 5.5 për qind më e ulët se sa në 2009-ën.

Banka e Shqipërisë thotë se ky trend ka vazhduar edhe në dy vitet e mëpasme. Për shkak të rënies së fitimeve, bizneset kanë shkurtuar kostot, ndërsa rritja e papunësisë ka bërë edhe më shumë presion që pagat të tkurren.

Pagat janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet shqiptare duke zënë 52 për qind të totalit. Rënia e tyre mund të ketë përkeqësuar standardet e jetesës për shumë familje, veçanërisht ato që i sigurojnë të ardhurat e tyre nga puna në privat.  

Top Channel