Elbasan, shpërthen bombula e gazit, përfshihet nga flakët libraria

08/02/2015 00:00

Shpërthimi i një bombule gazi në një librari në qytetin e Elbasanit ka shkaktuar një zjarr të përmasave të mëdha.

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga shpërthimi apo nga zjarri, pasi libraria pozicionohej në bodrumin e një pallati dhe bizneset në katet e para kanë qenë të mbyllura për shkak të fundjavës.

Shpërthimi i fuqishëm është lajmëruar nga banoret e pallatit, të cilët fillimisht kanë dyshuar për lëndë eksplozive në ndonjërën nga filialet e bankave që ndodhen në këtë ndërtesë. Por më pas, re të mëdha tymi dhe flakësh kanë përfshirë librarinë, duke rrezikuar për disa minuta edhe filialin e bankës.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikëseve bëri të mundur lokalizimin në kohë të flakëve dhe më pas fikjen e tyre.

Mësohet se bombula e gazit përdorej për ngrohje nga pronari i librarisë. Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar derën kryesore dhe muret e librarisë, por fatmirësisht në rrugë në momentin e shpërthimit nuk ka patur kalimtarë. Zjarri ka shkaktuar vetëm dëme të shumta materiale.

Top Channel