“Top Fest 12”, nis edicioni i ri i festivalit të muzikës moderne

08/02/2015 00:00

Nga nesër nis “Top Fest”, festivali i muzikës moderne shqiptare. Pjesëmarrësit janë rreth 100, mes tyre emrat më të njohur të muzikës vendase, të cilët do të performojnë këngët e tyre të reja, fillimisht për tetë javë rresht, ne transmetim nga e hëna në të enjte, ora 15:35 nën prezantimin e Dojna Memës, një nga zërat e Top Albania Radios.

Bashkautorë Ledion Liço dhe Ergys Lubonja, ky i fundit dhe regjisor. Skenari Ardit Roshi, skenografia Fatmir Minga, drejtues muzikor, Dorian Gjoni dhe Producente, Lori Hoxha. Përveç emrave të rinj të stafit realizues, të tjera risi në këtë edicion të 12-të.

“Po i mëshojmë shumë fort faktit që të jetë një edicion shumë më i mirë se të tjerët, me elementë shumë më serioz, me këngëtarë shumë më të mirë dhe i hapur me nevojat e tregut. Në këtë edicion nuk do të ketë thjesht këngëtarë që vijnë të konkurrojnë për hir të konkurrimit, por është hapur më shumë në sektorin e videove, pasi është një kërkesë e tregut. Këtë vit jemi përpjekur që ta bëjmë edhe më të fuqishëm çmimin “Best Video”. Kjo do të sjellë ardhjen e këngëtarëve gjithmonë e më të mirë të tregut shqiptar dhe premton për një natë finale shumë të mirë dhe performanca shumë të mira”, u shpreh Ergys Lubonja, autor/regjisor i “Top Fest 12”.

“”Top Fest” këtë vit do të mundohet t’i përshtatet sa më shumë kohës. Gjërat kanë filluar të lëvizin ndryshe në industrinë muzikore botërore, por edhe në tregun muzikor shqiptar. Më tepër se nga televizioni informacioni merret paralelisht nga rrjetet sociale dhe faqet e internetit dhe ne këtë vit do të fuqizojmë shumë rrjetet sociale, “Facebook”, “Instagram”, “Twitter”. Gjithçka që do të ndodh në skenën e Top Fest do të pasqyrohet edhe në telefonët celularë dhe laptopët e të gjithë atyre që mbase nuk kanë mundësi të jenë përpara ekranit në ato momente”, tha Ledion Liço, autor i “Top Fest 12”.

Në muajin prill dhe maj, pas seleksionimit të këngëtarëve, do të kalohet në fazën gjysmëfinale. 36 këngëtarët e kësaj faze, do të perfermojnë në tre mbrëmje live, me orkestrën e Top Channel, për të kaluar më pas në natën finale, ku do të ndahen dhe çmimet e kategorive dhe do të shpallet fituesi i këtij edicioni.

Top Channel