Emigrimi, qindra persona kalojnë natën malet në kufirin Serbi-Hungari

08/02/2015 00:00

Është një natë me shi dhe lagështi. Temperaturat janë të ulta. Rrugës për në zonën kufitare Hungari Serbi, fillimisht duken të qeta. Policia hungareze duket se nuk ka kapacitete të mjaftueshme të merret me emigrantët nga Kosova dhe ata kalojnë më lehtë, ndonëse është e rrezikshme pasi banorët lokal ndonjëherë shtien nga frika.

Rrugës duket sikur nuk ka lëvizje. Një grup kosovarësh tenton të bie dakord me një taksixhi, kjo duket më e lehtë për ta në këtë kohë.

Stacioni I vogël I autobusëve në Ashottalom, një fshat komunë, duket e vetmja dritë e ndezur. Qetësi deri në momentin kur parkohet makina. Vërshojnë për të pyetur për ndihmë, thonë se kanë ftohtë dhe duan strehim ose taksi t’i çojë në destinacionet që duan. Pak radhët shtohen dhe disa vazhdojnë në këmbë pavarësisht se nuk e dinë ku mund të jetë stacioni i radhës.

Kanë frikë të flasin pa arritur në vendin ku duan.

“Ka kaluar disa orë pas mesnate dhe shqiptarët nga Kosova ende në këtë rrugë të errët vazhdojnë në drejtim të Budapestit për të kërkuar një jetë më të mirë. Qyteti më i afërt Szeged-i, i cili është rreth 20 kilometra larg nga këtu. Ende vazhdojnë turma të mëdha pa u ndalur”.

Vazhdon rrugëtimi. Thonë kryesisht se kanë ikur për të kërkuar një jetë me kushte ekonomike më të mira dhe nuk kanë parë se çfarë mund të humbin.

Sqarimet e zakonshme rreth pagesave dhe mënyrës se kalimit të kufirit. Për disa fati është megjithatë më i mirë. Por shumë prej tyre kapen nga policia.

Top Channel