PD: Rama nuk jep fondet e duhura për të përmbyturit

09/02/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetes Albana Vokshi, akuzoi Kryeministrin
Edi Rama se po sulmon opozitën, ndërkohë që gjendja e të përmbyturve në
jug të vendit rëndohet me tej.

“Rama nuk shpall gjendjen e emergjencës civile, nuk destinon fondet e duhura për situatën e rëndë, por ushqen papagallin e radhës me sulme të ulëta ndaj opozitës, një ditë pasi ka ndaluar me dhunë dhe pa motiv ligjor aktivistët e rinj të Partisë Demokratike të cilët po shpërndanin ndihma në zonat e përmbytura. Arsyen pse ai vetë, e pas tij, të gjithë ministrat e zyrtarët po dëbohen nga qytetarët, po përcillen me neveri, Edi Rama duhet ta kërkojë tek braktisja që u ka bërë atyre pikërisht në ditën që duhej t’u gjendej pranë. Arsyet duhet ti kërkojë tek shpërfillja, tek zbavitja me selfie me dramën e tyre, tek pandjeshmëria e arroganca që ka treguar.Edi Rama nuk është në asnjërën ditë të vitit në krah të qytetarëve, por në situata të tilla fatkeqësie e ka për detyrim, të mobilizohet me të gjithë strukturat, mjetet e fondet”, tha Vokshi.

Sipas deputetes Vokshi, fondi i dhënë nga Edi Rama për rezervat e shtetit për ushqime në vitin 2014 është 6 milionë lekë të reja. ‘Për vitin 2015 është 10 milionë lekë te reja. Pra gjithsej 120 mijë euro, ndërkohë që ai dha 200 mijë euro për përmbytjet në Serbi dhe Bosnje’, tha Vokshi.

Top Channel