Ukraina, Merkel në Uashington. I paraqet Obamës planin franko-gjerman për paqen

09/02/2015 00:00

Angela Merkel udhëtoi sot drejt Uashingtonit me qëllimin t’i paraqesë presidentit Barack Obama planin e paqes të hartuar nga Gjermania dhe Franca në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit ukrainas.

Takimi mes dy liderëve organizohet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po marrin në konsideratë mundësinë e dërgimit të armëve në Ukrainë. Kancelarja gjermane nuk është mbështetëse e një ideje të tillë, siç u pa qartë nga deklarata e saj përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih, këtë fundjavë.

“Jam e bindur se ky konflikt nuk do të zgjidhet me mjete ushtarake. E kam të vështirë ta imagjinoj një situatë, ku pajisjet e përmirësuara për trupat e Ukrainës do t’i lënë aq shumë mbresë presidentit Putin, sa të besojë se do të humbasë ushtarakisht”, tha Merkel.

Ashtu si shumë liderë të tjerë europianë, edhe Merkel beson se furnizimi i Ukrainës me armë nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit, duke acaruar një konflikt që në më pak se një vit ka marrë me mijëra jetë njerëzish, e ka detyruar një milion e gjysmë të tjerë të shpërngulen.

Vizita e saj vjen vetëm dy ditë përpara samitit të krizës ukrainase, i parashikuar të mbahet në Minsk të Bjellorusisë. Përmes Sekretarit të Shtetit, John Kerry, Uashingtoni mohoi krisjen në marrëdhëniet me Gjermaninë. Megjithatë, Obama, i gjendur nën një presion të madh të brendshëm për qëndrim më të ashpër e më të vendosur, nuk do ta ketë të lehtë të kënaqë ‘zonjën e hekurt’ të Europës.

Zyrtarë të lartë, si senatori republikan John McCain, këmbëngulin se një lloj mbështetjeje ushtarake për Kievin, në këtë pikë, është e domosdoshme. Deri tani nuk ka detaje të planit të paqes të propozuar nga Merkel dhe shefi i Elizesë, Francois Hollande, por besohet se ai përfshin ndër të tjera krijimin e një zone të çmilitarizuar prej 50 deri në 70 kilometrash përreth vijës aktuale të frontit.

Top Channel