Hahn: Presim të mësojmë shkallën e dëmeve nga përmbytjet

09/02/2015 00:00

Brukseli pret nga Tirana dhe Shkupi një tablo të qartë të dëmeve
përfundimtare nga përmbytjet, në mënyrë që të organizojë një konferencë
të mundshme donatorësh, siç veproi nëntorin e kaluar me Serbinë dhe
Bosnjen.

I pyetur nga Top Channel përpara nisjes së takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, komisioneri austriak Johannes Hahn tregoi se ai kishte biseduar me ministrin Bushati për këtë çështje.

“Përsa i takon Shqipërisë, kam qenë në kontakt me ministrin e jashtëm fundjavën e kaluar mbi këtë çështje. Si gjithmonë, në raste të tilla katastrofash natyrore, ka një mbështetje europiane, aty ku ekziston mundësia, por për çdo rast, nevojiten të dhënat mbi dëmet dhe për koston që shkaktuan këto dëme. Kur kjo të përcaktohet, dhe kur ne të kemi një tablo më të qartë, atëherë me siguri që do të organizojmë diçka pasi jemi mëse të vetdijshëm për  pasojat e të tilla katastrofave natyrore”, tha Hahn.

Top Channel: A do ta vizitoni edhe Shqipërinë javën e ardhshme dhe a do të përfaqësohet Komisioni me ju në raundin e radhës së Dialogut të Nivelit të Lartë, apo me një nivel tjetër, në Tiranë?

Johannes Hahn: Sigurisht që egziston qëllimi për të vizituar Shqipërinë sepse është një prej parterëve tanë kryesor në Ballkan ndaj duhet të shkoj dhe atje.

Agjenda e Komisionerit për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësinë Europiane parashikon të hënën e ardhshme vizitën dy-ditore në  Shkup, e më pas dhe në Prishtinë, por ende nuk ka një  datë të qartë për vizitën e tij të parë në Tiranë.  

Pergatiti Arta Tozaj

Top Channel