Sulmet jordaneze shkatërrojnë 20% të infrastrukturës së ISIS

09/02/2015 00:00

Vetëm me mësymjen e saj ajrore, Jordania ka arritur të shkatërrojë 20% të aftësisë ushtarake të ISIS-it. 56 sulme janë ndërmarrë nga ajri ndaj objektivave të Shtetit Islamik, një shpagim për ekzekutimin barbar të pilotit Moaz al-Kasasbeh.

Dhe, sipas shefit të Forcave Ajrore të Mbretërisë, tre ditët e goditjes intensive të xhihadistëve janë vetëm fillimi i fushatës së planifikuar për të marrën hakun e 26-vjeçarit, që u dogj i gjallë nga militantët e dhunshëm islamikë.

Nga sqarimet e gjeneralit Mansour al-Jabour, rezulton se avionët ushtarakë jordanezë kanë goditur kampet e stërvitjes, municionet dhe depot e karburantit të Shtetit Islamik. Al-Jabour shtoi gjithashtu se mbi 7 mijë ekstremistë të ISIS-it janë vrarë, që kur vendi i tij u bashkua në fushatën ajrore të Shteteve të Bashkuara shtatorin e vitit të kaluar.

“E arritëm atë që donim: hakmarrjen për Muazin. Dhe ky nuk është fundi i angazhimit tonë; ky është vetëm fillimi”, tha gjeneral Mansour al-Jabour, shef i Forcave Ajrore jordaneze.

Një skuadrilje avionësh luftarakë F16 mbërriti në Jordani të dielën nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një ditë pasi shteti i Gjirit Persik njoftoi dërgimin e tyre në ndihmë të koalicionit ushtarak. Fokusi i sulmeve ajrore jordaneze është fortesa e ISIS-it në Siri, Raqqa-ja.

Pas ekzekutimit të pilotit 26-vjeçar, Mbreti Abdullah premtoi një përgjigje të ashpër ndaj organizatës terroriste. “ISIS – u shpreh ai, – nuk na lufton vetëm ne, por lufton edhe vetë Islamin e vlerat e tij të dëlira”. Mësymjen ajrore ndaj pozicioneve të ISIS-it në Siri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre arabë e kanë filluar në 23 shtator, ndërsa atë në Irak, avionët e Amerikes dhe disa shteteve të tjera e kishin nisur më përpara.

Top Channel