Francë, pritet me larje hesapesh vizita e kryeministrit në Marsejë

09/02/2015 00:00

Një larje hesapesh me breshëri kallashnikovi mes bandave për kontrollin e trafikut të drogës është verifikuar në Marsejë, teksa në qytet pritej të mbërrinte kryeministri për të komunikuar se kriminaliteti në jug të Francës është reduktuar.

Forcat speciale të policisë kanë mbërritur në lagjen Castellane, duke e rrethuar tërësisht atë, pasi dëshmitarë të ndryshëm raportuan për persona të maskuar që qëllonin me armë zjarri në ajër. Gjatë aksionit të forcave speciale, është evakuuar një azil.

Jean Marie Allemand, kreu i sindikatës së policisë së Marsejës, ka deklaruar se të paktën pesë persona të veshur me uniformë ushtarake dhe të armatosur me kallashnikov kanë qëlluar në ajër.

“90 për qind e dyshimeve tona janë për një rast të lidhur me trafikun e drogës. Nuk besoj se është një sfidë e shpallur ndaj shtetit, por gjëra të tilla ndodhin kur ka vizita të rëndësishme”, ka deklaruar Allemand.

Ndërkohë, senatorja socialiste Samia Ghali ka dhënë një dëshmi tjetër. sipas saj, të rinj të armatosur kanë qëlluar ndaj makinave të policisë që po kontrollonin zonën.

“Janë të rinj të paskrupullt, me siguri të lidhur me trafikun e drogës”, ka thënë senatorja, e cila i ka bërë thirrje kryeministrit Manuel Valls që të mos e anulojë vizitën e planifikuar.

“Shteti nuk mund të dorëzohet përballë këtyre akteve, do të ishte një dështim. Na flasin për Sirinë, por Siria është këtu dhe ne e jetojmë çdo ditë në lagjet tona”, ka thënë Ghali për një televizion lokal.

Ndërkohë, e përditshmja “Le Figaro” shkruan në edicionin e saj online se shefi i policisë së qytetit, Pierre Marie Bourniquel ka qenë objektiv i të shtënave me kallashnikov.

Top Channel