Kosovë, së shpejti listat e pensioneve për veteranët e UÇK-së

09/02/2015 00:00

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së është në fazën përfundimtare të verifikimit të listave të të gjithë atyre që kanë aplikuar për njohjen e statusit të këtyre kategorive.

Nga dita e mërkurë do të publikohen listat e para të verifikuara në Zonën Operative të Llapit dhe Karadakut, ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni, Agim Çeku. Sipas Çekut, deri tani nga 66 mijë e 500 aplikime janë trajtuar gjithësej 65 mijë, prej të cilave 8 mijë e 467 janë refuzuar.

“Në rishqyrtim janë 2.852 aplikime, ndërkohë që 8.467 aplikime të tjera janë refuzuar. Ndërkohë, rreth 2.800 aplikime janë verifikuar por ende nuk janë futur në bazën e të dhënave, kështu që ajo çka mund të them është që deri më sot procesi ka përfunduar për dy zona, Zona Operative e Llapit dhe Zona Operative e Karadakut”, ka deklaruar Çeku.

Çeku ka thënë se deri më 20 shkurt do të publikohen të gjitha listat. “Ne do të fillojmë publikimin e listave të mërkurën, me listën fillestare. Që do të thotë listën e Zonës Operative të Llapit dhe Zonës Operative të Karadakut dhe më pas do të vazhdojmë deri me listën e 20-të, për secilën zonë”, ka saktësuar Çeku.

Ndërsa Faik Fazliu, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka saktësuar se pensione do të përfitojnë të gjithë ata që nuk janë në marrëdhënie pune. Ai ka ftuar të gjithë të aplikojnë për një gjë të tillë sapo të publikohen listat e kësaj kategorie.

“Sa i përket përfitimit të pensioneve, me ligj parashikohet që pensione do të gëzojnë të gjithë ata veteranë të cilët nuk janë të punësuar, që nuk marrin pagë nga punëmarrësi, qoftë privat apo shtetëror. Kështu që pas publikimit të listave secili veteran do të aplikojë personalisht për përfitimin e pensionit. Një gjë është e sigurt, se në buxhetin e vitit 2015 janë ndarë 24 milionë euro për pensione për veteranët e luftës dhe po ashtu është e sigurt se ky buxhet do të shfrytëzohet tërësisht për ta”, ka thënë Fazliu.

Afati i ankesave për të gjithë ata që janë të pakënaqur me kategorizimin e këtyre listave është 30 ditë pas publikimit të tyre, ndërsa pas këtij afati pakënaqësitë mund të paraqiten vetëm në gjykatë.

Top Channel