Klopp i beson “gardës së vjetër”: Shkul një dhëmb çdo javë, po të fitojmë…

09/02/2015 00:00

Më në fund një fitore dhe më në fund një 3-pikësh… Pas plot 64 ditësh, Borussia Dortmund ka mundur ta mbyllë një ndeshje futbolli me buzëqeshje. Një çlirim dhe frymëmarrje për lojtarët, por edhe për trajnerin Klopp.

Pikërisht trajneri Klopp, të cilin prej vitesh e kemi dëgjuar të thotë se ka buzëqeshjen më të bukur në kampionatin gjerman, është shprehur se është gati të heqë dorë edhe nga gjysma e dhëmbëve të tij, vetëm e vetëm të udhëheqë Dortmundin përtej zonës së rënies nga kategoria.

“Pak orë më parë hoqa një dhëmb – tregoi në fund të ndeshjes, – ndaj sot ne fituam. Mungojnë edhe 14 ndeshje nga fundi i kampionatit, ndaj jam i gatshëm të heq nga një dhëmb çdo javë, vetëm e vetëm që të vazhdojmë me këtë ecuri”, tha trajneri gjerman, përkundër zërave që thonë se në Gjermani nuk janë supersticiozë.

Ende nuk dihet nëse problemi shëndetësor i Klopp (me dhëmbin) është shkaktuar për shkak të stresit, por përveç klasifikimit trajnerin gjerman nuk e lënë ta bëjë gjumin rehat edhe disa probleme në lidhje me merkatot e fundit.

Kundër Freiburgut, Klopp zbriti në fushë nga minuta e parë Weidenfeller, i ardhur në ekip në vitin 2002, Piszczek (Pishçek) i ardhur në 2010-n, Subotic (2008), Hummels (2008) dhe Schmelzer (2008). Edhe në mesfushë situata nuk ndryshon aspak; Sahin, i ardhur në 2005, i larguar për një eksperiencë të shkurtër dhe i rikthyer sërish, Gundogan (2011), por edhe lojtarë si Kagawa (2010 dhe i rikthyer sërish) e Reus (2012).

I vërtetë është edhe fakti që kanë luajtur Kampl, i ardhur në këtë merkato dimërore, dhe Aubameyang (nga 2013), por idea e Klopp ka qenë mëse e qartë: t’ia besojë këtë objektiv të rëndësishëm atyre që i njeh mirë dhe që ia njohin mirë skemat atij, ose shkurt atyre që kanë më shumë kohë në skuadër.

Pak rëndësi ka për të nëse në pankinë qëndruan lojtarë për të cilët është shpenzuar jashtëzakonisht shumë gjatë 12 muajve të fundit: Mkhitaryan 27,5 mln euro, Immobile 18,5 mln euro, Ginter 10 mln euro dhe Adrian Ramos 9,7 mln euro, i cili nuk ishte as i grumbulluar. Por, pas fitores 3-0 Klopp është rikthyer të buzëqeshë…

Top Channel