Lideri i partisë opozitare Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se pushteti në Maqedoni në mënyrë të kundraligjshme ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë. Kreu social-demokrat ka bërë të ditur se, ai ka qenë i përgjuar për katër vite me radhë nga pushteti dhe për këtë publikoi disa materiale nga përgjimi i bisedave të tij telefonike.

Drejtuesi i opozitës maqedonase tha se përveç tij, me urdhër të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe shefit të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov janë përgjuar edhe ministrat e qeverisë aktuale, gazetarët, biznesmenët por edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare.

“Këto materiale që i zotërojmë dëshmojnë se Drejtorinë e Zbulimit e kanë shndërruar në një monstër që dëgjon dhe kontrollon mbi 20 mijë qytetarë. Na pëgjojnë kur flasim për tema politike, kanë hyrë në jetën tonë më intime duke përgjuar edhe bisedat me fëmijët tanë”, tha Zaev.

Para mediave, Zaev publikoi edhe bisedën e përgjuar mes Ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Ministrit të Financave, Zoran Stavrevski. Sipas kreut të opozitës përgjimit nuk i kanë shpëtuar as politikanët shqiptarë, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani. 

“E persëris, kjo është vetëm një pjesë e vogël nga ajo që e zotërojmë për aktivitetin kriminal të qeverisë në Maqedoni. Gjatë publikimit të dëshmive tjera, nuk do të mund të besoni se kush e drejton shtetin, çfarë mekanizmash kanë përdorur këta persona, për përgjimin e qytetarëve të Maqedonisë, opozitën, por edhe bashkëpunëtorët e tyre të afërt”, tha ai.

Drejtuesi i opozitës maqedonase ftoi bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë me kujdes materialet që publikon. Ai po ashtu paralajmëroi padi penale kundër Kryeministrit Gruevski dhe shefit të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov dhe i bëri thirrje prokurorisë të nisë hetime.

Në ditët në vijim kreu social-demokrat tha se do të vazhdojë të publikojë materiale që sipas tij, dëshmojnë aktivitetin e paligjshëm dhe kriminal të qeverisë. Zaev thotë se qëllimi i publikimit të këtyre dokumenteve është rrëzimi i qeverisë aktuale dhe kthimi i lirisë dhe demokracisë në Maqedoni.

Top Channel