Cristiano “shënjestrohet” për festën e ditëlindjes: Festa e çnderimit

09/02/2015 00:00

Cristiano Ronaldo kishte ditëlindjen dhe të shtunën në mbrëmje kishte programuar një “party” me shumë të ftuar, por një lumë akuzash kanë vërshuar drejt tij nga shtypi spanjoll dhe tifozët madrilenë, duke parë se ajo festë erdhi pas humbjes shpërfytyruese në derbin me Atleticon.

Megjithatë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi në mbrojtje të tij, pikërisht nga agjenti i CR7, Jorge Mendes. “Ronaldo ishte i zemëruar. Çdo lojtar do të ishte ndierë i tillë pas një humbjeje, e jo më një profesionist i kalibrit të tij. Fakt është se festa për ditëlindjen e tij ishte organizuar prej më shumë se një muaji, familjarët e tij erdhën nga jashtë dhe ta anuloje atë do të ishte si një mungesë respekti ndaj të ftuarve”, tha agjenti portugez.

“Është e papranueshme që dikush kërkon të përfitojë nga një festë kaq private, e të publikojë edhe video nëpër rrjete sociale – vijoi më tej Mendes. – Ronaldo ishte i shkatërruar pas humbjes dhe njerëzve të ftuar iu deshën 2 orë përpjekje për t’i ngritur moralin. Është vërtetë e vështirë të jesh Ronaldo, por në jetë ka momente të mira dhe të këqija. Dhe e keqja e Ronaldos është se thuajse në 99 përqind të rasteve është mësuar t’i gëzojë njerëzit, duke qenë vendimtar në ndeshje… Dhe kur përjeton një moment jo të këndshëm, njerëzit nuk duhet ta kritikojnë, por t’i qëndrojnë pranë, sepse bëhet fjalë për lojtarin më të mirë në botë. Ai është një qenie njerëzore mbi të gjitha, por sërish jam i qetë, sepse gjatë viteve të fundit Cristiano ka qenë një shembull për të gjithë dhe i tillë do të mbetet”.

Gjithsesi, në Spanjë nuk ndalen polemikat. “Marca” flet për një festë jo të mirëpritur nga Iker Casillas dhe Sergio Ramos, kapiteni dhe zëvendëskapiteni i Realit, të cilët ishin të ftuar nga portugezi por preferuan të mos shkonin pas humbjes 4-0 në “Vicente Calderon” vetëm pak orë më parë.

Më pas janë edhe rrjetet sociale, ku ka nisur një fushatë “e egër” dhe goditëse me “hashtag”-e si #festaeçnderimit. Në fakt nuk sulmohet vetëm Ronaldo, por edhe James Rodriguez, i sapo dalë nga një operacion në këmbën e dëmtuar, por edhe për Khediran, Pepe dhe Modric, të gjithë të pranishëm në festë.

Top Channel