Dojna Mema, vajza që rrëmbeu mikrofonin e prezantueses së “Top Fest 12”

09/02/2015 00:00

Dojna Mema është fytyra e re e “Top Fest”-it. Bukuroshja 23-vjeçare do të prezantojë sivjet edicionin e 12-të të festivalit të muzikës moderne shqiptare, njw sipwrmarrje e televizionit Top Channel. Ndoshta shumëkush ka kureshtje se kush është vajza, që rrëmbeu sivjet mikrofonin e drejtueses…

Ajo ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë për piano. Por në studimet e larta zgjodhi të braktisë muzikën dhe të marrë një drejtim tërësisht ndryshe, atë të marrëdhënieve me publikun. Sivjet, ajo sapo është diplomuar në këtë degë.

Dy vite më parë, Dojna vendosi të eksplorojë në një tjetër fushë: Prezantimin. Prej atëherë, ajo drejton në Top Albania Radio programet “Live from Tirana”, “The top list” dhe “Versus”.

Zëri i dashur për dëgjuesin, shumë shpejt do të kishte edhe një fytyrë të bukur, kur Dojna zgjidhet të drejtojë programin “My music chart” në kanalin “My music”, të “Digitalb”.

Për herë të parë, prej ditës së sotme, Dojna e gjen veten përpara një publiku. Një përvojë, të cilën e reja po e shijon shumë dhe që e fitoi duke u bërë pjesë e një audicioni të zakonshëm. Shkathtësia, zgjuarsia dhe pamja e saj joshëse po e ndihmojnë të ngjitet me hapa të shpejtë.

Ku do ta shohim Dojnën në të ardhmen? E sigurt është se nga e hëna në të enjte, prej orës 15:30-16:30, bukuroshja do të jetë imazhi qendror i ekranit në Top Channel, ku krah saj do të ngjisin skenën artistë të muzikës moderne shqiptare.

Top Channel