Të biesh viktimë e historive të shantazhit, rastet publike në Shqipëri

09/02/2015 00:00

Për shumë viktima të krimit kibernetik, edhe sot e kësaj dite është e vështirë ta besojnë se kanë qenë protagonistët e një shantazhi. Përpos efektit psikologjik të “viktimës”, ajo që vuan më shumë barrën e rëndë është familja, e cila bëhet pjesë e torturës.

Agresorët janë zakonisht të panjohur, virtualë, por nuk mungojnë rastet kur shantazhi bëhet nga njerëz që njihen më parë.

Sipas oficerëve të Policisë, vitet e fundit është shtuar ndjeshëm vepra penale e shantazhit nëpërmjet Facebook-ut. Fotot apo videot e publikuara merren dhe më pas zotëruesi i llogarisë kërcënohet me publikimin e tyre.

Por cilat janë disa prej ngjarjeve më të njohura të shantazhit virtual?

1) Në qershor të vitit të kaluar, dy djem 18 dhe 19 vjeç, u arrestuan në Shkodër, pasi kërcënonin një të ri me foto intime. Ata zotëronin disa foto personale dhe, nëse nuk merrnin në këmbim 3000 euro, do t’i publikonin. Pas nisjes së hetimit, Policia mundi të finalizojë operacionin duke vënë në pranga dy personat.

2) “Më kalo një milion lekë në llogarinë time, ndryshe prindërit e tu do e marrin vesh lidhjen, por edhe për videon që unë kam në celular”. Ky ka qenë një ndër mesazhet kërcënuese nga një 20-vjeçar nga Tirana, drejtuar të dashurës së tij në shtator të vitit 2012. Të rinjtë ishin njohur më parë në Facebook dhe frekuentoheshin. Pas denoncimit të vajzës, i riu u arrestua.

3) Dy adoleshentë, falë njohurive që kishin për rrjetin, u bënë protagonistë të një shantazhi vitin e kaluar po në Tiranë. Pasi i thyen llogarinë e Facebook-ut, ata kërcënonin vajzën se, nëse nuk u jepte 200 euro, do të publikonin fotot në llogari të rreme. Çdo gjë përfundoi me arrestimin e të rinjve, në momentin e dorëzimit të parave.

Shantazh apo kërcënim për publikime fotosh, çfarëdo emri t’i vemë, një gjë është e sigurt: Në bazë të ligjit shqiptar, vepra penale dënohet. Historitë tregojnë qartë sesi distanca mes fotografive të nxehta në Facebook dhe dhunës psikologjike është shumë e vogël…

Kështu që, vajza dhe djem kini kujdes!

Top Channel