“Titus”, qetësuesi që mund të shkaktojë edhe humbje kujtese

09/02/2015 00:00

“Ishte kurioziteti i efektit dhe dëshira për të shmangur përgjegjësinë e një dite shkolle, që e nxiti nxënësen e vitit të parë të gjimnazit ‘Qemal Stafa’, të ftonte 6 nga shokët e shoqet e klasës së saj të pinin qetësuesin ‘Titus’ disa ditë më parë”.

Aktualisht, një pjesë e nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa” po e zhvillojnë mësimin pasdite, në ambientet e shkollës “7 Marsi”. Në orën e tretë të mësimit, mësuesja konstatoi se 3 vajza dhe 4 djem të klasës manifestonin shenja lodhjeje, marrje mendsh, të vjella. Ata janë dërguar në repartin e Toksikologjisë në QSUT.

Por çfarë është “Titus”-i?

“Titusi është një qetësues, por gjithnjë përdoret me rekomandimin e mjekut, dhe jo për heqjen e stresit të përditshëm. Më tepër e marrin për mjekimin e ankthit dhe për gjumin. Përgjithësisht janë moshat e mëdha që e kërkojnë. Po të flasim për moshat e reja, nëse ajo tejkalohet mund të kalojmë te konsiderimi sikur kemi përdorur drogë. Ky qetësues jep një përgjumje dhe në atë moment nuk e kontrollon dot veten. Shpesh nuk mban mend, duke pasur edhe një efekt të gjatë prej 8 orësh pasi është marrë. Kur merret në doza të mëdha, për shembull deri në 10 mg në ditë, ai mund të shkaktojë edhe humbje të kujtesës, të përziera, dhimbje koke e marrje mendsh”, thotë një farmaciste.

Shqetësues është fakti nëse ky rast nuk është i izoluar, por të rinjtë nën moshën 18 vjeç marrin qetësues që farmacistët i japin pa recetë.

“Jashtë kamerës, farmacistët pranojnë se adoleshentë të ndryshëm i drejtohen farmacive për të marrë qetësues apo antidepresivë. Mbetet në moralin e tyre, nëse vendosin t’ua japin apo jo, edhe pse me ligj ata e kanë të ndaluar!”

Top Channel