Historia e shantazhit në Durrës

09/02/2015 00:00

Gerildo Beqiraj kishte vetëm disa muaj që ishte ndarë nga e dashura. Të dy studentë në Universitetin e Durrësit kishin pasur një lidhje, që kishte arritur dhe në intimitet fizik. Çaste që të rinjtë i kanë fiksuar edhe në celular, e që pas ndarjes do t’u kushtonin shtrenjtë që të dyve.

Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, gjithçka ka nisur kur 21-vjeçari ka filluar ta kërcënojë ish-të dashurën me mesazhe.

Ai i shkruante se, nëse s’do i jepte 100 mijë lekë (të reja), videot apo fotot intime do të shpërndaheshin në rrjete sociale. Nga versioni i tij i ngjarjes, vajza duhet t’i paguante këto parà, që ai të kurohej nga një sëmundje, të cilën ai prentedonte se e kishte marrë prej saj gjatë kohës që ishin të lidhur bashkë.

Për një muaj, 20-vjeçarja ka jetuar mes ankthit se fotot dhe videot, që e tregonin në momente intime, do qarkullonin te të gjithë.

Ka menduar të marrë parà borxh, por frika se mos shantazhi përsëritet e ka çuar në dyert e Policisë së Durrësit, ku ka rrëfyer edhe gjithë historinë.

Oficerët e Policisë e kanë këshilluar vajzën, që të takohej me Beqirajn për t’i dhënë paratë, që ata vetë ia siguruan. Në një takim në mjediset e një lokali në Durrës, pikërisht në mometin kur i riu ka marrë paratë, forcat policore kanë bërë dhe arrestimin.

21-vjeçari është izoluar në ambientet e Policisë, e më pas ka dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.

Top Channel