Ukraina, Obama: Opsioni i armatimit, ende në tryezë

09/02/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka akuzuar Rusinë se ka shkelur çdo zotim të marrë përsipër në marrëveshjen e Minskut, për të vendosur paqen në lindje të Ukrainës.

“Rusia ka shkelur angazhimet e saj, duke vazhduar të veprojë në lindje të Ukrainës, duke dërguar ushtarë e artilieri të rëndë dhe duke shkatërruar fshatëra të tërë”, ka deklaruar Obama.

Duke folur pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti
Obama ka bërë me dije se administrata e tij ende po shqyrton opsionin e
dërgimit të armëve
luftarake në ndihmë të ushtrisë ukrainase.

Edhe pse ka nënvizuar se Ukraina ka të drejtën e saj të mbrohet, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë “plotësisht dakord” që të inkurajojnë një zgjidhje diplomatike për krizën.

Ndër të tjera Obama ka bërë të ditur se qeveria amerikane do të vazhdojë me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat së fundmi kanë prekur edhe zv/ministrin rus të Mbrojtjes.

Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi kancelarja gjermane Merkel udhëtoi për në Uashington, për të prezantuar planin e paqes në Ukrainë, të cilin javën e kaluar e diskutoi me presidentët Hollande dhe Putin.

Ende nuk dihen detajet e këtij plani, por vetë kancelarja insiston që Shtetet e Bashkuara të mos dërgojnë armë për ushtrinë ukrainase, pasi kjo mund të ndikojë në përshkallëzimin e situatës.

“Jam e bindur se ky konflikt nuk do të zgjidhet me mjete ushtarake. E kam të vështirë ta imagjinoj një situatë, ku pajisjet e përmirësuara për trupat e Ukrainës do t’i lënë aq shumë mbresë presidentit Putin, sa të besojë se do të humbasë ushtarakisht”, tha Merkel para nisjes për në Uashington.

Top Channel