Rrëfimi i një vajze, që ka qenë viktimë e shantazhit

09/02/2015 00:00

Shumë viktima të krimit kibernetik e kanë të vështirë ta besojnë se kanë qenë protagonistët e një shantazhi, zakonisht nga një agresor i panjohur e virtual. “Pasdite në Top Channel” ka sjellë pikërisht një prej tyre, një vajze së cilës pasi i vodhën llogarinë në rrjetin social Facebook, nisën ta kërcënonin duke i kërkuar të holla, por ajo vendosi të mos i bindej dhe të zgjidhte rrugën e denoncimit të rastit në polici.

Viktima e shantazhit: Para pak kohësh kisha një llogari Facebook-u, i cili papritur u mbyll dhe unë nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Në një moment u përpoqa që të hyja edhe nga kompjuteri, por nuk hapej. Pas dy-tre orësh më shkruan një adresë tjetër, që më kërkonte një shumë parash për të ma kthyer sërish llogarinë time. Realisht nuk e kuptoja përse m’u vodh Facebook-u, sepse nuk kisha asgjë kompromentuese aty. Në ato momente nuk kisha çfarë të bëja, nuk dija kujt t’i drejtohesha, dhe pak kohë pas kësaj ngjarjeje me ndihmën e një mikut tim shkova në organet e Policisë. Ishte ai që më këshilloi të bëja denoncimin, edhe pse unë e dija paraprakisht që mund të bëja denoncime për gjëra të tilla, por pa e ditur se ku, gjë që më udhëzoi miku. Është shumë e rëndë apo e vështirë për t’u shpjeguar, sepse kur gjendesh përpara një situate të pandodhur më parë nuk di si të reagosh. Imagjinoni sa e frikësuar ndjehesha, kur nuk kisha bërë asgjë, sepse nuk e dija se çfarë do të ndodhte në atë llogari ku secili ndan atë që do, me miqtë apo këdo që pranon kontakte në Facebook. Ndoshta familja nuk e kupton rëndësinë që mund të ketë një situatë e tillë, ndaj edhe për ata ishte shumë e paparashikueshme. Më pas, me ndihmën e policisë, unë u takova me personin që më shantazhonte për t’i dorëzuar atij shumën e parave. Në atë moment mendoja se isha thjesht një ndër viktimat e atyre që janë mësuar ta bëjnë shpesh këtë gjë, e realisht kështu është sepse pas rastit tim kam dëgjuar edhe për shumë të tjerë me situata të ngjashme, për të cilat deri atëherë nuk kisha dijeni. Kjo për vetë faktin se jeta nuk më kishte ndeshur me probleme të tilla. Më pas gjatë operacionit të policisë personi në fjalë u arrestua dhe gjithçka u bë publike. Më dukej një budallallëk që vetëm përse kisha një llogari Facebook-u, njerëzit do të përfitonin nga kjo gjë dhe të shantazhojnë të tjerët. Është shumë e pakuptimtë, përse duhet të ndodhë diçka e tillë. Shumëkush mund të më thotë se përse i dhashë kaq shumë rëndësi dhe shkova e denoncova, por besoj se në qoftë se dikush e bën njëherë këtë gabim, duke rënë dakord për të arritur marrëveshje për dorëzimin e parave me shantazhuesin, ai person jam shumë e sigurt që do të të kërkojë sërish parà. Çdo fjalë e atij personi ishte e tillë që të bënte të ishe e shantazhuar. Hynte drejtpërdrejtë në temë dhe nuk të linte kohë të mendoje se po bën shaka, e merrte shumë seriozisht këtë “punë” të tij. Shumëkush si ai e konsideron si punë dhe si profesion këtë gjë.

TCH: Kush ishte mendimi i parë që të erdhi ndërmend kur të kërkuan një shumë të konsiderueshme parash?

Viktima e shantazhit: Po tallet ky? Vetëm këtë kam menduar, sepse një llogari Facebook-u as që mund të krahasohet me atë shumë parash që më kërkoi. Nuk më interesonte, le ta mbante, por thjesht mendimi që mund të më bënte keq, duke ndryshuar mendimin ndaj meje te njerëzit që më njihnin, më bëri të reagoja. Mendoja se nëse ky njeri është i aftë të më vidhte adresën time, atëherë mund të bënte edhe shumë gjëra të tjera.

TCH: Si u ndjeve në ato momente?

Viktima e shantazhit: Fillimisht tronditesh dhe nuk di si të veprosh, thjesht mendohesh dhe rri kot sepse nuk ke çfarë të bësh realisht. Mendon se ndoshta të tjerët nuk e kuptojnë problemin që ke, ose nëse do ta tregosh atë problem mund të të duhet të nxjerrësh edhe gjëra që nuk kërkon t’i ndash me të tjerët. Ndaj ndihesh e frikësuar dhe e turbulluar. Në vendin tonë ekziston idea që askush nuk të bezdis apo të të shqetësojë kot, ti e ke bërë diçka, ndaj dhe ai person po të bën këtë gjë. Në fakt ndodh që atë person mund të mos e njohësh fare dhe thjesht ke qenë një nga viktimat e listës së gjatë të tij.

TCH: Çfarë hapash ligjore ndoqe ti?

Viktima e shantazhit: Denoncimi që bëra në organet kompetente ishte hapi i parë, e pas tij asgjë, sepse gjithçka lihet në duart e personave që kanë për detyrë të merren me këtë, përkatësisht policisë. Por, duhet të ndjekësh udhëzimet që të japin ata, dhe besoj se kurdoherë ata janë të gatshëm të të ndihmojnë, kjo është detyra e tyre dhe ju siguroj se e bëjnë me shumë vendosmëri.

TCH: Nëse një vajzë apo një djalë do të ishte në pozitat që ke qenë ti, çfarë do i sugjeroje?

Viktima e shantazhit: Të marrin parasysh gjithçka dhe të ndjekin rrugën e duhur, siç e ndoqa unë, atë të drejtësisë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund njëherë e mirë gjithçkaje.

Top Channel