Novoselë, situata drejt përmirësimit; në Nartë Vjosa përmbyt 50 familje

09/02/2015 00:00

Dhjetë ditë pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa dhe përmbytjes së disa zonave në qarkun e Fierit dhe të Vlorës, situata në komunën e Novoselës është përmirësuar ndjeshëm.

Shtabi i emergjencave thotë se çdo ditë ndahen ndihma për banorët e 7 fshatrave të kësaj komune.

“Aktualisht kemi shpërndarë 8.900 kg ushqime dhe 9 mijë litra ujë të pijshëm, që i bie 12 litra për familje në ditë”, deklaroi një zyrtar i emergjencave.

Ndërkohë, e gjitha zona në fshatin Fitore ka pasur dëme të mëdha. Toka bujqësore dhe ullishtet janë e vetmja mënyrë jetese për banorët e këtij fshati, të cilët apelojnë për më shumë vëmendje për t’u zhdëmtuar.

“Problem kam ujin, i cili që ditën e parë që doli as ka ikur e as nuk do të iki sepse s’ka ku të shkojë. Kam rreth 6 mijë rrënjë ullinj, të gjithë po thahen. Unë me këtë mbahem, atë kam, po vazhdoi kështu ngela trokë”, tha një prej banorëve.

Ndërkaq, 50 familje në fshatin Nartë të komunës qendër në Vlorë janë të rrethuara nga uji. Shkak për këtë është bërë dalja nga shtrati e lumit Vjosë dhe uji që ka depërtuar në tokat që lidhen me pjesën e lagunës së Nartës.

Mungesa e pastrimit të kanaleve që e çojnë ujin në hidrovor ka bërë që uji të shkojë në disa shtëpi në të fshatit, duke shkaktuar dëme. Pas inspektimit të argjinaturës së Selevecit, drejtori i Bordit të Kullimit tha se nuk ka asnjë argjinaturë të çarë.

“Është përthithur pjesa e Nartës, sepse gjithë ujërat që vijnë nga këneta depozitohen në kanalin kryesor dhe shkojnë deri në hidrovorin që kemi. Grykat kryesore të kolektorëve janë të zëna me inerte e mbeturina dhe mendoj se duke hapur këto gryka nuk do të kemi më probleme”, deklaroi Apostol Qirko.

Top Channel